Një incident ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Londër, pikërisht në “London School of Economics”, gjatë vizitës së kryeministrit serb, Aleksander Vuçiq.
Sipas një videoje që po qarkullon online, dhe e cila është fshirë shumë shpejtë nga disa kanale të Youtube, por që ende vazhdon të qëndrojë online në kanalin e një shqiptari me emrin Daniel Nikolla, shihet një person që akuzon kryeministrin serb për kërcënim me vrasje.
Sipas medieve serbe, personi që ndërhyri gjatë fjalimit të Vuçiqit quhet Nikola Sanduloviq, i cili është prezantuar si president i Partisë Republikane të Serbisë dhe këshilltar i ish-kryeministrit të vrarë serb, Zoran Gjingjiq.
Sanduloviq, bashkë me avokaten e tij që ishte ulur pranë tij, ka provuar të polemizojë me Vuçiqin derisa në dorë mbante një CD.
“Ne kemi incizime të disa policëve. Zotëri Vuçiq i ka dërguar disa policë në shtëpinë e këtij personi [Sanduloviqit] dhe i kanë thënë atij se nëse nuk i ndalon aktivitetet tua politike, atëherë do të vriteni. I kemi dëshmitë në këtë CD”, ka thënë avokatja e tij, ndërsa ka kërkuar që CD-ja të lëshohet për publikun menjëherë.
Por, ka qenë kryesuesi i këtij tubimi që ka ndërprerë pretendimin e dyshes duke thënë se ky është një takim publik dhe nuk do të diskutohet më për këtë çështje.
Më tej, Vuçiq ka thënë se Sanduloviq asnjëherë nuk ka qenë asistent i Zoran Gjingjiqit, siç është prezantuar.
“Të dashur miq, mund të them se kjo është një dhuratë e jashtëzakonshme politike për mua. E gjithë Serbia e di kush është ky person”, ka thënë Vuçiq.
Sanduloviq ka punuar në sigurimin e kryeministrit serb, Gjingjiq. Sanduloviqit në vitin 2010 i është vënë një bombë në Zemun nën makinë. Me këtë rast ai ishte lënduar, ndërsa nga shpërthimi ai ishte hedhur jashtë automobilit, ndërsa tre prej miqve të tij u patën lënduar lehtë. Ate kohe pati deklaruar se prapa sulmit qëndron “mafia e pëllumbave”.
http://www.youtube.com/watch?v=zZSaB-EPNMQ#t=28
















