”Lufta e miellit” në mes të Qeverisë shqiptare, prodhuesve dhe importuesve të miellit, tashmë ka përfunduar.
Ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Edmond Panariti, hoqi dorë nga udhëzimi për moslejimin e importit të miellit nën nivelin e 12.5% të proteinave, duke e rikthyer atë në nivelin e 9%, sa ishte më parë si kufi të poshtëm dhe që shkon sipas produkteve të veçanta deri në 12 %, shkruan ‘Koha Ditore’.
Kjo sipas argumentimit të ministrit të Bujqësisë është brenda standardeve të BE-së, dhe është një rritje e standardeve pasi më parë Shqipëria kishte përdorur një standard prej 7%.
Megjithëse beteja tregtare e miellit ka përfunduar, tashmë janë specialistët ato që kanë dhënë alarmin se konsumi i bukës me miell me nivel proteinash në masën 9% është në nivelet më të ulëta të papranueshme ku konsumatorit shqiptar po i ofrohet jo bukë, por gomë për të ngrënë, e cila shkakton një sërë sëmundjesh, një ndër të cilat është edhe ulcera e stomakut.
















