Më 28 prill 2016 prokuroria e Tiranës kërkoi 116 vjet burg për 5 të akuzuarit për vrasjen e Enton Nikajt, një ngjarje e ndodhur më 11 nëntor 2015, në Linzë, në parkingun e restorant “Muraga”. Por 6 ditë më vonë, Gjykata e Tiranës dha vetëm 21 vite burg në total, 5 herë më pak se sa u kërkua nga prokuroria.
1. Për Emiljano Tashon, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, prokuroria kërkoi të dënohet me 35 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim në bashkëpunim”; “Vjedhje me dhunë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake…”; dhe “Plagosje e lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
Gjykata vendosi që ai të dënohet me vetëm 16 vjet burg për “Vrasje me dashje”, duke rrëzuar akuzën për “Vrasje me paramendim”. Sipas gjykatës Tasho nuk e kishte planifikuar vrasjen përpara se ajo të ndodhte. Por a e mori në konsideratë trupi gjykues faktin se ai kishte shkuar i armatosur, i shoqëruar nga banda e tij në takimin që përfundoi me vrasje?
2. Për Bujar Hasanin, të hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg” në mungesë, prokuroria kërkoi të dënohet me 28 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim; “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake…”; dhe “Kanosje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
Gjykata vendosi që ai të dënohet vetëm me 2 vjet burg.
3. Mirsad Kuçana, u hetua me masë sigurimi “Arrest në burg”. Prokuroria kërkoi të dënohet me 28 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim; “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake…”; dhe “Plagosje e lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
Gjykata vendosi që ai të dënohet vetëm me 2 vjet burg.
4. Ervis Martinaj, u hetua me masë sigurimi “Arrest në burg” në mungesë. Prokuroria kërkoi të dënohet me 25 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim; dhe “Plagosje e lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
Gjykata vendosi dënimin e tij vetëm me 1 vit e 4 muaj burg për “Moskallëzim krimi”.
5. Erjon Biraçi, u hetua me masë sigurimi “Arrest në burg” dhe prokurori kërkoi të dënohet me 5 vjet burgim, për akuzën: ““Përkrahja e autorit të krimit”.
Gjykata e dënoi me dy vjet burg.
Ata përfituan ulje të dënimit me një të tretën për shkak se pranuan gjykimin e shkurtuar. Dy prej tyre, Ervis Martinaj dhe Bujar Hasani u gjykuan në mungesë.
Gjyqtarët e gjykuan çështjen janë Gerd Hoxha kryesues dhe Besnik Hoxha e Lazer Sollaku anëtarë.
Gerd Hoxha, kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë ka gjykuar edhe çështjen e Kostandin Xhuvanit për vrasjen e Alfred Musabellit dhe më 14 nëntor të vitit 2011 e dënoi atë me dy vjet burg.
Besnik Hoxha ka gjykuar çështjen e 21 janarit. Më 12 dhjetor të vitit 2002 ai u bë shenjestër e një atentati me eksploziv në shtëpinë e tij, që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima.
Lazer Sallaku, ndër çështjet e bujshme ka gjykuar atë të Ermal Mrrukut, ish –gardistit të akuzuar në korrik 2013 për pengmarrje e vetëgjyqësi ndaj shtetasit Rigert Bilali, në bashkëpunim me Edison Canajn.
















