Një bari shqiptar që punon në një stan në Janinë rrëfue dje për policinë greke skenën e vrasjes makabre të Bledar Terpollarit.
Ai ishte prezent në ngjarje, pasi 3 autorët shqiptarë e kishin detyruar t’u tregonte ku ishte ferma që punonte Terpollari. Sipas dëshmisë në policisë, ai kishte parë të gjithë vrasjen, edhe kur autorët i prenë kokë të riut nga Shqipërai.
Pas lajmit të djeshëm të publikuar nga mediat greke, ka reaguar edhe babai i viktimës, i cili në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” thotë se nuk gjen qetësi deri sa të marrë kokën e djalit. Ai ka bërë edhe një deklaratë të fortë duke thënë se do të marrë hakë për vrasjen e të birit.
“I lutem shtetit të gjejë e të më kthejë kokën e djalit, pastaj le të vdes. Nëse do mësoj se kush ishin personat që më masakruan Bledin, do marr hak, do i vras me duart e mia. Djali im nuk u vra, por u copëtua barbarisht dhe në mënyrë të pamëshirshme sikur të ishte një kriminel. Por edhe një kriminel nuk e meriton një vdekje të tillë. Nuk e kam idenë kush e ka bërë një gjë të tillë, por nëse e marr vesh, do e vras me duart e mia. Do marr hakun e djalit tim. Nuk kanë kaluar shumë kohë që trupit të Bledit i është bërë ceremonia mortore.
Kam marrë ku të mundem lekë borxh për t’i bërë nderimin e fundit djalit. Jam zhytur në borxhe, 2000 Euro, sepse askush nuk më ndihmoi për të sjellë trupin e tij në vendlindje. Gjithçka e kam paguar vetë. Shpirti im nuk gjen qetësi dhe shpirti i Bledit nuk gjen paqe derisa koka t’i bashkohet trupit’, shprehet mes lotëve Kujtim Terpollari në intervistën për “Gazeta Shqiptare”.
Mendohet se dy prej autorëve të ekzekutimit mizor ndodhen në Shqipëri, ndërsa një i tretë mendohet të jetë ende në Greqi.















