Autoritetet greke kanë përfunduar ekspertizën mjeko-ligjore të 26-vjeçarit shqiptar që u gjet i vdekur dhe me kokë të prerë dje në zonën e Igumenicës. Sipas autopsisë, shqiptari fillimisht ishte qëlluar me çifte në qafë, gjë që i solli vdekjen.
Më pas, viktimës i kishin prerë kokën në mënyrë makabre. Trupi i pajetë i 26-vjeçari u gjet pranë një ferme ku ai punonte prej dy muajsh. Në disa media shqiptare u raportua ditën e djeshme se shqiptari u identifikua, kurse mediat greke edhe ditën e sotme shkruajnë se viktima është ende i paidentifikuar.
Kjo pasi koka e 26-vjeçarit nuk është gjetur ende dhe kërkimet janë duke vazhduar. Informacionet janë kontradiktore, ndërsa raportohej se shqiptari ka qenë i dënuar në Shqipëri. Përderisa nuk është identifikuar nuk mund të dihet nëse ishte i dënuar.
Në fakt, sipas policisë greke, në trupin e viktimës ka shumë tatuazhe që duket se nënkuptojnë një burg në Shqipëri, ku i riu mund të ketë vuajtur dënimin në të kaluarën. Megjithatë, kjo nuk është e konfimuar dhe policia greke po mban kontakte me policinë shqiptare për këtë rast.
Gjithashtu, një shpresë e hetuesve helenë është celulari i viktimës. Policia ka mundur ta gjejë dhe është dërguar për t’u analizuar dhe priten të nxirren informacione që mund të jenë të vlefshme për hetimin apo për autorët e mundshëm të vrasjes horror./SYRI.net/















