Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, në mes të Tiranës.
Gazetari i “Telesport”, Eduard Ilnica, është dhunuar në mënyrë barbare nga persona ende të paidentifikuar. Mësohet se Ilnica është dërguar menjëherë në urgjencën e Spitalit të Traumës, ku i është dhënë ndihma e parë.
“Sport Ekspress” shkruan se gazetari vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore, por edhe psikologjike pas kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të paprecedentë dhune. Burime spitalore bëjnë me dije se Ilnica ka pësuar fraktura dhe hematoma nga goditjet.
“Isha duke pirë kafe me disa miq të mi në afërsi të ‘Zogut të Zi’. Zakonisht mblidhemi aty në mbrëmje edhe me përfaqësues të klubit të Korabit. Pasi u largova nga lokali, u drejtova për te automjeti im, por aty m’u afruan disa persona dhe pa më thënë asgjë nisën të më godasin. Njëri ndër ta ishte Alban Vogli, presidenti i Kastriotit. Nuk kam pasur asnjë konflikt me ndokënd dhe nuk e di pse ndodhi kjo. Gjithçka ia kam thënë edhe policisë”, deklaroi Ilnica pasi kishte marrë mjekimin në Spitalin Ushtarak.
Ndërkohë, ende nuk ka ndonjë njoftim nga policia lidhur me çështjen. /E.B./















