Kamerat e sigurisë së kapanonit të selektimit të mbeturinave brenda landfillit të Sharrës nxjerrin zbuluar shoferin e fadromës, Edmond Kallari.
Ky i fundit, pas arrestimit i ka thënë hetuesve se nuk ka punuar me fadromë tek vendi ku ishte caktuar për të ndarë kanaçet nga mbeturinat, 17 vjeçari Ardit Gjoklaj. Por, nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se në ora 05:00 e mëngjesit të datës 7 gusht, Kallari me fadromën e tij ka lëvizur mbetjet për 40 minuta pikërisht tek vendi ku dëshmitarët thonë se ka qenë duke punuar i riu me origjinë nga Tropoja, por me banim në Kombinat.
Për hetuesit, kjo është edhe koha kur mendohet se Ardit Gjoklaj është goditur me kovën e fadromës, e cila më pasi i ka sjellë vdekjen. Sipas prokurorisë, fadromistit i ishte caktuar detyra për të marr mbeturina dhe shtyrë për të kontenieri i depozitës pranë elevatorit lëvizës të mbeturinave. Por nga pamjet e kamerës së sigurisë, ai ka lëvizur për 40 minuta nga vendi ku ishte caktuar të punonte, pranë transportierit të dytë, në krahë të depozitës ku dëshmitarët thonë se punonte në selektimin e kanaçeve 17-vjeçari.
Për hetuesit, fakti që dëshmitarët nuk e kanë parë dhe dëgjuar 17 vjeçarin në momentin kur është goditur nga fadroma, mendohet se i riu ka qenë në gjumë. Pasi dëshmitarët thonë se ishte kohë me shi dhe mund të jetë strukur në cepin e depozitës, ku mund të jetë goditur nga fadroma. Por kjo mbetët për t’u zbardhur nga ekspertët e mjekësisë ligjore të cilët ende nuk kanë përfunduar raportin e shkakut dhe kohën e vdekjes.
Nga ana tjetër, kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin që Ardit Gjoklaj ka hyrë brenda rrethimit të landfillit, është rreshtuar me punëtorët në ora 19:00 të darkës. Është pikasur nga kamerat e sigurisë edhe në orën 3:00 të mëngjesit kur bashkë me një punëtore dhe bashkëshortin e saj kanë dal nga landfilli për të pirë kafe në Kombinat dhe 30 minuta më pas është kthyer duke hyrë po në landfill.
Ku përgjegjësi i turnit, Defrim Hakrama duket në pamje që i cakton vendin e ri të punës, për selektimin e kanaçeve nga mbeturinat.
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se trupi i të riut është gjetur nga punëtorët e turnit të parë rreth orës 14:30 minuta, shumë i dëmtuar, por që kishte veshur rrobat e kompanisë 3R që mbanin edhe mbishkrimin Bashkia e Tiranës. /ABCnews















