Kryetari e njëkohësisht punonjësi i zyrës postare në Maqellarë, është proceduar penalisht dhe shpallur në kërkim.
Specialistët për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore Dibër, pas veprimeve me iniciativë të kryera gjatë ditës së djeshme mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative si dhe pas kallëzimit nga Kryetarja e Degës Posta sh.a Dibër, shtetasja S. Ç., kanë nisur procedimin penal duke shpallur në kërkim Skerdinand Hoxha, 28 vjeç, lindur në Peshkopi.
“I riu, duke shfrytëzuar detyrën si kryetar e punonjës Shërbimi i Zyrës Postare Maqellarë, Dega e Postës sh.a Dibër, ka tërhequr nga arka e Degës së Postës sh.a Dibër për kryerjen e shërbimeve një sasi prej 7.356.092 lekë të reja dhe është larguar duke marrë me vete dhe shumën në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ende nuk dihet vendndodhja e 28-vjeçarit, megjithatë uniformat blu po punojnë për kapjen dhe arrestimin e tij.
















