Me 71 vota, parlamenti i Kosovës zgjodhi zonjën Vjosa Osmani presidente të re të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, duke shmangur një krizë politike në horizont, që mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhja e saj u bë në raundin e tretë të votimeve në parlamentin 120 vendesh. Në dy raundet e para ajo nuk siguroi numrin prej 80 votash siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës.
Menjëherë pas betimit në parlament, zonja Osmani vuri theksin tek sfidat që ndodhen para Kosovës, përfshirë pandeminë e COVID-19 që u mori jetën afer 2 mijë qytetarëve.
“Këto nuk janë kohë të lehta për Kosovën e as për mbarë njerëzimin. Sfidat janë të shumta, posaçërisht ajo me pandeminë, e cila kërkon që ne të bëhemi sërish bashkë që të mund ta luftojmë atë. Prandaj le t’i qëndrojmë pranë njëri tjetrit dhe t’i japim përkrahje qeverisë së vendit në menaxhimin e saj. Në këtë sfidë fitorja e suksesi nuk i takon vetëm njërës palë, fitorja do të jetë e përbashkët dhe vetëm të bashkuar do të mund ta bëjmë të mundur”, tha ajo.

Zgjedhja e presidentes shënon edhe përfundimin e procesit të ngritjes së institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në të cilat fituese doli lëvizja Vetëvendosje e cila edhe e kandidoi zonjën Osmani. Krahas pandemisë institucionet e reja do të përballen edhe me trysninë për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës me ndërhyrjen e NATO-s.
“Dialogu është vërtetë rruga që kemi përpara. por ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, e paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia, kur të kërkohet falje nga ajo dhe kur të vihet drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, tha zonja Osmani, duke theksuar ndërkaq angazhimin e saj për ruajtjen dhe thellimin e miqësisë me aleatët e Kosovës, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara.



















