Operacioni i OSHEE-së, i mbështetur nga policia e shtetit është përqendruar mesditen e së shtunës në zonën e rrugës së Kavajës në kryeqytet. Inspektorët e drejtorisë së OSHEE të Tiranës janë mbështetur në këtë aksion edhe nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili foli për rëndësinë e pagesave të prapambetura. Drejtuesit e OSHEE deklaruar se asnjë vjedhes i energjisë elektrike nuk do të tolerohet. Në zonën e inspektuar u konstatua me dhjetra kabuj të energjisë të lidhur në mënyrë të paligjshme.
“Jemi duke bërë një aksion në zonën e rrugës së Kavajës, jemi duke krehur gjithë zonën për lidhjet e paligjshme. Është një gropë e madhe që kërkohet të mbulohet gati 150 mln euro në vit, shumë e cila do të shkojë për investime për hapjen e vendeve të punës dhe për të sjellë një zhvillim në vendin tonë”, tha Ari Luarasi, Drejtor i departamentit inxhinierik, OSHEE.
Ministri i Financave tha se vjedhja e energjisë elektrike ka krijuar një gropë financiare ne sektorin e energjisë prej 150 milionë euro, ndaj çdo kilovat orë energji elektrike të arkëtohet.
“humbjet në vit vetëm nga mospagesa, ose vjedhja e energjisë elektrike është 150 mln euro, një shumë e madhe që nuk është mirë që ata që janë të rregullt të mbulojnë ata që nuk paguajnë. Nuk shkon që i ndershmi të mbulojë hajdutin, hajduti duhet ti kthehet rrugës së ndershme, ka kohë”, tha Shkelqim Cani, Ministër i Financave.
Janë 18 mijë raste të lidhjeve të paligjshme që janë ndërprë deri tani nga OSHEE. Ndërsa vetëm në 10 ditët e fundit janë arkëtuar vetëm në 10 ditë është bërë e mundur që në arkën e OSHEE-s të arkëtohen 542 milionë lekë.















