Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, pas videove të publikuara në media gjatë ditëve të fundit, ka thirrur në një takim të gjithë shefat e komisariateve dhe drejtorët e drejtorive policore në Republikën e Shqipërisë. Didi u ndal te dhuna policore e demonstruar edhe në videot amatore. Ai tha se veprime të tilla janë të papranueshme dhe se policët duhet të tregojnë forcën e ligjit dhe jo atë fizike për të fituar besimin e qytetarëve. “Puna juaj është e monitoruar nga qytetarët dhe mediat, ndaj tregoni përgjegjshmëri dhe profesionalizëm”, paralajmëroi Didi vartësit e tij. Atentatet me eksploziv Në mbledhje me vartësit, z.Didi ka diskutuar në lidhje me performancën dhe sjelljen e policëve me qytetarët si dhe në lidhje me situatën e shpërthimeve me eksploziv. Duke u ndalur tek atentatet me eksploziv, z.Didi është shprehur se këto ngjarje mund të mos jenë të vetmet dhe mund të ketë edhe të tjera. “Këto nuk janë ngjarjet e vetme, mund të ketë edhe të tilla, por që janë sporadike. Këto ngjarje nuk tregojnë punën e madhe që po bëhet në policinë e shtetit. Iu kërkova shefave të komisariateve të bëjnë më mirë punën e tyre dhe ta masin atë në bazë të standardit të policit më të fundit të komisariatit, jo në bazë të statistikave”,- tha Didi. Gjatë mbledhjes Didi iu është drejtuar Shefave të komisariatit me fjalët: “Askush nga ju, apo cili do punonjës policie nuk është i emëruar në detyrë për të treguar se sa të fortë jeni, por për të treguar se sa i fortë është ligji. Askush s’ju ka dhënë të drejtën të ndani qytetarët në kategori e në emra të përveçëm , por të zbatoni ligjin njësoj për të gjithë e t’ju shërbeni të gjithëve me të njëjtin standard shërbimi.
Respektoni liritë dhe të drejtat e qytetarit , ofroni për qytetarin shërbim sa më të kulturuar, sa më profesional, prodhoni rend e siguri për komunitetin ku shërbeni e jo veprime të tilla të shfaqura në media. Puna juaj është e monitoruar nga qytetarët dhe media, ndaj tregoni përgjegjshmëri e profesionalizëm, përkushtim e ndershmëri, performancë në komunikim e paraqitje dhe komuniteti ka për t’ju vlerësuar dhe mbështetur”. Kreu i Policisë së Shtetit deklaroi se ky takim ishte për t’i sensibilizuar që të tregohet një polici qytetare dhe për të qenë më të vëmendshëm në strukturat që ata drejtojnë. “Ne nuk na shikon njeri punën që bëjmë gjithë ditën në zyrë. Ne njerëzit na masin nga performanca e shërbimit të policëve që janë në terren”,- ishin fjalët e Artan Didit. Kryepolici ka kërkuar të zbatohet procedura standarde e ligjit dhe theksoi se aktet e dhunës së policëve ndaj qytetarëve, si ato të ndodhura më parë, nuk duhet të përsëriten më. Didi flet me mediat pas mbledhjes Pas përfundimit të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit foli me mediat dhe tha se mbledhja u zhvillua në fokusin e ngjarjeve të ditëve të fundit, përfshirë edhe videot e policisë me gruan në Tiranë si dhe ngjarjet në Kavajë dhe Korçë. Ai bëri me dije se gjatë takimit u diskutua edhe në lidhje me shpërthimet me eksploziv të ndodhura disa ditë më parë në Tiranë. Kryepolici deklaroi se ka probleme me kontrollin e territorit, ndërsa u shpreh optimist për rezultatet e strukturave të antiterrorit dhe krimeve të rënda. “Situata me shpërthimet me eksploziv lidhet me kontrollin e territorit. Rezulton se nuk kontrollohet siç. Kemi pasur rezultate dhe presim edhe të tjera sa i takon punës së strukturave të antiterrorit dhe krimeve të rënda . Jemi optimistë se do t’ia arrijmë”,- u shpreh kryepolici Didi. Në lidhje me këtë çështje, gjatë mbledhjes ai u ka kërkuar shefave të komisariateve të marrin masa të menjëhershme për një kontroll sa më të mirë të terrenit, të marrjes së informacionit në kohë për të parandaluar dhe zbuluar ngjarjet kriminale si dhe të bashkëpunojnë me komunitetin. “Puna jonë pa bashkëpunimin e komunitetit nuk mund të ketë rezultatet e pritshme nga të dyja palët”,- ka thënë Z. Artan Didi.
















