Një shqiptar, i dënuar për dy vrasje të kryera në vendin tonë gjatë trazirave të ’97, është kapur në Britaninë e Madhe ku po fshihej prej 18 vitesh.
Ai është Avni Metra 53 vjeç, i dënuar në mungesë. Ai u zbulua nga një investigim i tabloidit britanik ‘Daily Mail’, që gjithashtu shkruan se policia angleze nuk e kishte idenë se ku fshihej 53-vjeçari, edhe pse ishte në listën e më të kërkuarve të INTERPOL dhe ishte arrestuar një herë në Londër pasi kishte dhunuar gruan.
Avni Metra është me pasaportë angleze, të cilën e ka marrë në vitin 1998 duke përdorur identitet të rremë me pretendimin se ishte refugjat lufte nga Kosova.
Sipas “Daily Mail”, ai ka punuar në të zezë dhe ka përfituar shuma të mëdha parash, i përfshirë në disa raste edhe në çështje prostitucioni.
Avni Metra është dënuar me 25 vite në Shqipëri për një vrasje të dyfishtë dhe sot do të dalë para Gjykatës për të vendosur nëse do të ekstradohet në vendin tonë për të vuajtur dënimin. Mediat britanike shkruajnë se ka shumë gjasa që Gjykata të vendosë për ekstradimin e tij.























