Tre persona janë arrestuar pas shkëmbimit të zjarrit me policinë dje në Elbasan, ku disa persona nga fisi Çapja qëlluan me armë zjarri efektivët e policisë.
Bëhet me dije se të arrestuarit janë Florenc Çapja, Ardjan Çapja dhe shoku i tyre Bledar Muça, i cili 4 ditë më parë mbeti i plagosur lehtë në një atentat që u bë ndaj Florenc Çapjes, por ky i fundit unk u prek nga plumbat.
Ditën e djeshme, këta persona qëlluan me armë zjarri një makinë civile të policisë që patrullonte pranë banesës së familjes Çapja.
Të arrestuarit menduan se në makinën me targa civile ishte hasmi i tyre që iu bëri atentat para disa ditësh, ngjarje që ka lidhje edhe me masakrën e Elbasanit në muajin Janar të këtij viti.
Lidhur me ngjarjen e djeshme, pritet arrestimi edhe i 6 personave të tjerë, ndërkohë që gjatë kontrollit në disa banesa e prona të fisit Çapja në Elbasan, u gjetën armë dhe municione. Fatmirësisht, nga shkëmbimi i zjarrit mbrëmë mes policisë dhe Çapjave nuk pati asnjë të lënduar nga të dyja palët.
Elbasani është tronditur dy herë nga ngjarjet kriminale me të njëjtët personazhe brenda kësaj jave. Mes fisit Çapja dhe hasmëve të tyre ka një histori vrasjesh që vazhdon prej vitesh. Grupi hetimor thotë se dyshimet janë të forta që edhe atentati i dështuar i 4 ditëve më parë ka lidhje me masakrën e Elbasanit që ndodhi në Janar, ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë.















