Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një protestë në Prishtinë kundër korrupsionit të EULEX-it.
Kjo protestë simbolizon faktin se EULEX-i, jo vetëm që nuk e lufton dot korrupsionin në Kosovë, por anëtarë të saj janë të përfshirë edhe vetë në korrupsion.
Dardan Molliqaj tha se kjo protestë zhvillohet për “të peshkuar” ata peshq të mëdhenj të korrupsionit në vend, të cilët nuk janë vetëm shqiptarë, apo serbë, por edhe të huaj.
“Në fakt ajo që është dëshmuar këto ditë është se peshqit e mëdhenj të korruptuar të institucioneve vendore do të kishin të pamundur të ekzistojnë sikur të mos ekzistonin edhe peshqit ndërkombëtar. Sot këtu kemi vendosur rrjetën dhe karremin dhe në karrem kemi vendosur gjënë më të rëndësishme që ti peshkojmë këta peshq e ajo është paraja dhe besojmë se përmes kësaj rrjete dhe këtij peshkimi do të peshkohen peshqit në të dyja anët”, tha Molliqaj.
Dardan Molliqaj ka theksuar se në Kosovë duhet të funksionojë drejtësia vendore, por se kjo nuk ndodh aspak.
















