Veriu i Kosovës dhe lidershipi i atjeshëm po adoptohen me vështirësi në rrethanat e ndjekjes penale për raste të dyshuara nga misioni i EULEX-it.
Ngjashëm me veprimet që ndër vite kishin strukturat paralele lokale në veri kur ndonjë lider lokal dyshohej apo akuzohej qoftë nga UNMIK-u apo më pas EULEX-i, edhe strukturat e tashme të zgjedhura, nuk e durojnë që dikush nga lart t’i ndjekë penalisht.
Së fundit, EULEX ka shpallur urdhërarrest për Stevan Vuloviq, kryetarin aktual të komunës së Zubin Potokut, si dhe për Slavisa Ristiq, një prej liderëve të serbëve të veriut.
Urdhërarresti ka pasuar refuzimin e të dy personave të kërkuar që të pranojnë intervistimin nga prokurori i rastit.
Pikërisht shpallja e urdhër arresteve për Vuloviqin dhe Ristiqin ka nxitur reagimin e serbëve të veriut, të cilët këtë më shumë e shohin si presion sesa vendosje të drejtësisë.
Me shtrirjen e pushtetit në 9 komuna dhe marrjen e 9 ulëseve në Kuvend, subjekti më i fuqishëm i serbëve të Kosovës sot për sot është Lista Serbe, një eksponent politik i Beogradit.
















