Të dashur lexues,
Ky shkrim u publikua me rastin e 1 Prillit.
Do të dëshironim shumë që të realizohej dëshira e miliona emigrantëve shqiptarë anë e kënd globit. Mbase kjo do të jetë sfida më e madhe për klasën politike shqiptare dhe sidomos për emigrantët që kurrsesi nuk duhet të trajtohen më si spektatorët e heshtur… Mbase duhet t’u kërkojmë ndjesë edhe atyre lexuesve që e besuan këtë lajm… The Albanian
Insistimi i vazhdueshëm i Ministrit Erion Veliaj ka bërë që Qeveria Rama të ndërmarrë hapin vendimtar duke ua garantuar emigrantëve të drejtën e votës në vendet ku ata jetojnë
Që në zgjedhjet lokale emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen do të mund të votojnë në vendet ku jetojnë. Ka qenë vendimi i sotëm i Qeverisë Shqiptarë që i ka kërkuar KQZ-së hapjen e qendrave të votimit në vendet ku jetojnë emigrantët shqiptarë.
“Jemi të lumtur që ia arritëm kësaj dite” është shprehur Ministri Veliaj duke kujtuar se projekti ka qenë i gatshëm, por që fatkeqësisht gjatë qeverisjes së Berishës ishte i pamundur zbatimi i tij”.
“Ky vendim qeverie i bën emigrantët shqiptarë të ndjejnë përkujdesjen e shtetit shqiptar të rilindur dhe së paku ata ndjehen njësoj si emigrantët e tjerë nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, që e praktikojnë prej kohësh”, ka shtuar Veliaj.
Mësohet se kryeministri Rama i ka premtuar Shpetim Idrizit Ministrinë e Diasporës që do të themelohet së shpejti, lajm ky që është mbajtur i rezervuar për shkak të përçarjeve në partinë e tij.
Gjithsesi kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se: “Iku koha kur emigrantët ndjehen jetim. Tashmë çdonjëri prej tyre mund të votojë në vendet ku jetojnë ku tashmë gëzojnë të drejtën të zgjedhin dhe të zgjidhen. Vendimi i sotëm i qeverisë u jep fund praktikave të deritanishme të mbushjes së autobusëve me emigrantë votues nga shtetet fqinjë. ”.
Ky është lajm i gëzuar për emigrantët shqiptarë që më së fundi do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Mjafton që ata të paraqiten pranë ambasadave apo zyrave konsullore me një mjet identifikimi dhe mund të votojnë.
Shteti shqiptar akoma nuk ka një shifër të saktë mbi numrin e mërgimtarëve, por besohet se ky është vetëm hapi i parë që do të ndihmoje në projektin final për një database të plotë për numrin e mërgimtarëve. Sipas INSTAT vetëm vitin e fundit mbi 4000 qytetarë shqiptarë në muaj janë larguar nga mëmëdheu.
Besohet se ky veprim i qeverisë, do të përmirësojë shumë më tepër përmbajtjen e parlamentit shqiptar që duket që në këtë legjislaturë lë shumë për të dëshiruar.
















