Ali Cenaj
….E pastaj thonë, ç’po ndodh me kosovarët që janë turrur të ikin kështu, si pa kokë. Shesin ç’kanë dhe, me gra e fëmijë, marrin rrugën e rrezikshme në kërkim të azilit në ndonjërin nga vendet e BE-së! Me çdo kusht duan të ikin sa më larg vendit ku shtetasve tashmë u është vrarë edhe shpresa se do të bëhet mirë. Vendit ku, si në rastin banal të një dite më parë, më në fund, përveç të gjitha të këqijave të tjera që mund të të gjejnë, të hanë edhe qentë.
Driton Jasharaj, një nga ata romët e vegjël që i shohim përditë tek çapërlisin kontejnerëve të mbeturinave në kërkim të kafshatës së bukës së përditshme, si shumë të tjerë nga komuniteti i tij, nuk është më. Qentë endacakë e shqyen shtatëvjeçarin, banor i lagjes së romëve në Fushë Kosovë, në një luftë mbijetese të fëmijës me qentë sepse u ishte përzier në territorin e tyre, duke kërkuar edhe ky, si qentë e tërbuar, ushqim në mbeturina.
Ai ka gjetur vdekjen teksa po mblidhte kënaçe në kontejnerë për të siguruar para për t’i blerë një palë këpucë.
Edhe ditën e kobshme ai kishte dalë për të mbledhur kënaçe, pasi ishte kthyer nga shkolla
“I thash mos shko sot, bjer e pusho pak. Madje i bërtita, por nuk më dëgjoi. Kur dola, ai tashmë kishte ikur”, shprehej në vaj Imeri, gjyshi pranë kufomës së vogël të Dritonit.
Plaku thotë se për shkak të kushteve të rënda, fëmija shpesh ka mbledhur kënaçe, të cilat i shiste për të fituar pak para sa për të mbijetuar sepse familja me shtatë anëtarë, si shumica në këtë vend, jeton në kushte ekstremisht të vështira.
Zërat e mllefosur normalisht se s’ngurrojnë të krahasojnë qeveritarët me qentë endacakë të cilëve, si edhe vetes, ua kanë krijuar kushtet e standardeve evropiane. Në këtë vend të mjerimit.
Dritoni është vetëm njëri nga shembujt e vrazhdësisë së jetës. Pasi ishte kthyer nga shkolla, ai do të duhej të kishte pushuar pak, siç i kishte thënë gjyshi. Do të ishte marrë me librat, me fletoret, do të kishte kryer detyrat, si bashkëmoshatarët në ndonjë vend tjetër sadopak më normal.
Por, Dritoni nuk kishte dëgjuar. Dhe kishte dalë. Në kërkim të kënaçeve në kontejnerë të bërllokut. Për të blerë një palë këpucë pa pandehur se luftën e tij për jetë, për një palë këpucë, do ta paguajë shtrenjtë.
Normalisht, në këtë vend qentë mund të hanë Dritonin dhe ndonjë nga dritionët e tjerë të shumtë që u përzihen edhe qenve në hisen e tyre në kontejnerë.
Por qentë nuk e hanë ndonjë nga këta politikanët tanë. As fëmijët e tyre që i përcjellin në shkollë me xhipa të zi e xhama të errët.
Këtyre soj politikanësh që edhe tragjedinë e një dite më parë e konvertuan në poena politikë, duke akuzuar partinë qeverisëse në Fushë Kosovë.
Përgjegjësit e kësaj tragjedie nuk janë pa adresë, thonë ata, duke drejtuar gishtin kah udhëheqja komunale. Kah kryetari dhe vartësit e tij, të cilët nuk paskan përfillur alarmimet dhe kërkesat e opozitës lokale për trajtimin meritor të qenve endacakë.
Dhe ç’është më keq, paratë e ndara për trajtimin e qenve paskan përfunduar në “xhepat e pangopshëm” të ekzekutivit komunal, thoshte një reagim i mjerë, me thirrjen revolucionare se paska ardhur koha që reagimi qytetar dhe organet e drejtësisë të jenë më të vendosura se kurrë.
Një gjoja reagim në fatkeqësinë e Dritonit. Fëmijës fatkeq që, si shumë nga komuniteti i tij, bëjnë të njëjtën luftë për mbijetesë. Dritonin e shqyen qentë. Tek mblidhte kënaçe. Për çka? Për një palë këpucë.
E pastaj, disa që s’janë “prej këtyhit”, gjoja të habitur pyesin: Ç’po ndodh me kosovarët që janë turrur të ikin kështu, si pa kokë. Nga vendi ku është vrarë edhe shpresa se do të bëhet mirë. Nga vendi ku, më në fund, të hanë edhe qentë!
















