Sot media ndërkombëtare po i kushtojnë rëndësi faktit se vëllai i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa paska kërkuar azil në një vend europian. Kaq ka mjaftuar që në Kosovë të shpërthente një debat duke provokuar edhe një skandal ndërmjet vetë kryeministrit dhe gaztarit që e ka publikuar i pari lajmin.
Sipas këtij të fundit, kryeministri Isa Mustafa e ka marrë në telefon duke e kërcënuar me fjalët:
“Alo, Isa Mustafa jam. Ti a nuk pate me çka me u marrë a veç me vëllain tem a. Vëllau jem nuk osht në dorën teme, por në dorën e sëmundjes. Ka kancer në fyt more qen bir qeni. Ki me pagu shtrenjtë këtë”
Kërcënimi në vetvete në rast se është i vërtetë përbën një skandal, por jo tentativa e vëllait të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa për azil ekonomik. Të gjithë e dinë se Kosova është në një gjendje ekonomike të rëndë, që Kosova vitin e kaluar përjetoi muaj eksodi ekonomik me shifra shqetësuese.
Nuk besojmë në asnjë rast se kryeministri i Kosovës të ketë pretenduar se Kosova nuk e njeh si fenomen eksodin për azil ekonomik, apo me keq akoma, të ketë pretendimet e kryeministrit shqiptar se azilantët që ikin nga vendi i tij nuk janë kosovar por grek. Apo edhe më keq akoma, të ketë akuzuar Gjermaninë se po gënjen me numrin e azilantëve që po i kin nga vendi i tij siç bëri kryeministri Rama vitin e kaluar.
Po çfarë tregon kërkesa për azil e vëllait të kryeministrit të Kosovës?
Që Kosova është e varfër dhe shumë qytetarë po tentojnë azilimin në Europë? Kjo dihej. Ajo që të bën përshtypje nga rasti kosovar i emigrimit të vëllait të kryeministrit është e papërceptueshme në Shqipëri.
Kryeministri kosovar po kryqëzohet se pse vëllai i tij nuk është përfshirë në korrupsion siç bëjnë rëndom familjarët e kryeministrave shqiptar këtej e andej kufirit, por ka menduar si zgjidhje azilin ekonomik ne Europë.
Për këtë po tentohet të kryqëzohet sot në Kosovë Isa Mustafa. Pse nuk e ka kthyer vëllain në sekser tenderash, por e ka lënë në fatin e qytetarëve të tjerë kosovarë, që si zgjidhje për një ekonomi më të mirë ka zgjedhur azilin ekonomik.
Le të kthehemi pak në Tiranë
Kryeministri ynë prej një dekade e kishte vëllain një azilant ekonomik në SHBA. Me biznes dhe dokumentacion të rregullt kanë raportuar mediat shqiptare dhe ish-bashkëpunëtor të afërt të kryeministrit. Që nga dita që Edi Rama është kryeministër, vëllai i tij ka heq dorë nga azili ekonomik në SHBA dhe po ushtron biznes në Shqipëri. Në të drejtën e tij si çdo qytetar shqiptar. Paçka se mediat e kanë lidhur emrin e tij me disa koncesione të dyshimta dhe të dështuara nga tërheqja e partnerëve kinez, apo nga presioni FMN-së siç ishte rasti i koncesionit të TVSH-së.
Ajo që të bën përshtypje është standardi që përdorin mediat në Kosovë e në Shqipëri. Mediat kosovare e shqiptare kryqëzojnë kryeministrin kosovar se pse nuk e ka bërë vëllain e tij sekser tenderash duke e lënë të azilojë në perëndim, dhe e konsiderojnë normalitet që vëllai i kryeministrit shqiptar u ktheu nga SHBA në Tiranë për të bërë “biznes qeveritar” duke përdor pushtetin e vëllait kryeministër, ky fakt i pretenduar po nga këto media që po krzeqezojnë Isa Mustafën.
Vetëm media të drejtuar nga shqiptar mund të sulmojnë një kryeministër se pse nuk e bën vëllain hajdut, dhe të shesin për fisnik kryeministrin që e kthen vëllain nga Amerika për ta bërë sekser.
Kjo më shumë se me anësinë e mediave kundër Isa Mustafës në Kosovë dhe pro Edi Ramës në Tiranë, ka të bej me vetë kulturën shqiptare.
Ne nuk e perceptojmë që një familjar i një kryeministri të një shteti të varfër të emigrojë. Ai duhet të vjedh së është vëllai i kryeministrit. Nuk është krim dhe turp të vjedh, por është turp dhe krim të emigrojë. Siç duket ky është mentaliteti ynë si shoqëri. Prandaj dhe korrupsioni është në nivele alarmante dhe i pandëshkueshëm. Ne bashkëjetojmë si shoqëri me të.syri.net
















