Vëllai i kryeministri të Kosovës Isa Mustafa ka kërkuar azil në Gjermani vitin e kaluar. Lajmi është bërë i ditur nga BBC.
BBC raporton se Mustafa ka pranuar se vëllai i tij Ragip ishte një prej shumë shqiptarëve që kërkuan azil vjet.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri Mustafa. Ai deklaroi se vëllai i tij ka kërkuar azil për çështje shëndetësore. Madje, shtoi se për azil kanë shkuar edhe nipër e mbesa të tij.
“Po lexoj në portale se vëllai im paska kërkuar azil për shkaqe shëndetësore jashtë vendit. Kjo është e vërtetë. Më vonë jam informuar nga familja e vëllai, se ai kishte kërkuar qëndrim jashtë vendit, për t’u shëruar nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Në vjeshtën e vitit që shkoi ka pasur një ndërhyrje në Tiranë, tani është në Prishtinë, dhe gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft e rëndë. Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se, kanë shkuar edhe mesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhi, të Kosovës”, shkruan Mustafa në Facebook.
















