Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, paralajmëron se çdo akt vandalizmi ndaj qytetit do të ndëshkohet me gjobë. Duke folur gjatë një takimi me moshën e tretë në Këshillin Bashkiak sot pasdite, Veliaj u shpreh se bindjet politike nuk mund të përdoren si alibi për të mbrojtur vandalizmin ndaj qytetit.
“Vandalizmi, shkatërrimi dhe shkulja e pusetave e trotuareve nuk lejohet, as urinimi publik. As vendlindja dhe as bindja politike nuk duhet të përdoret si alibi për të mbrojtur vandalizmin e këtij qyteti. Shpresojmë që partitë politike të mos na e shkatërrojnë qytetin gjatë protestës së radhës, se kjo nuk shkon, meqë e kanë bërë fashistët bulevardin, o burra ta shkatërrojmë… Po ç’të bëjmë ne, ta shkatërrojmë Tiranën tani? Ku të kemi hije pastaj? Nëse e shkatërrojmë, kjo nuk ka logjikë. Kush ia bën këtë vendit të vet? U themi të ardhurve mirë se vini në Tiranë, por mos na e shkatërroni Tiranën. Jo vetëm do të paguhet gjoba që u emërtua herën e fundit. Po pati dëmtime, prapë do të ketë faturë”, tha Veliaj.
Opozita ka parashikuar mbajtjen e një proteste të enjten, më 17 dhjetor dhe një tjetre të hënën, më 21 dhjetor.
















