Qeveria ka miratuar një akt normativ të propozuar nga Ministria e Financave, për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2015. Akti është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe është publikuar sot në Fletoren Zyrtare.
Sipas Ministrisë së Financave, ky akt normativ ka për qëllim të nxisë përshpejtimin e investimeve publike. Në një njoftim për mediat, Ministria e Financave sqaron se gjatë vitit 2015, ecuria e investimeve publike ka qenë e ngadaltë, duke kërkuar ndërhyrje të herëpashershme nëpërmjet rialokimeve apo edhe akteve të tjera. “Synimi është që investimet kapitale të buxhetit të shtetit të kenë ndikim dhe të ndihmojnë në rritjen ekonomike të vendit”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet në këtë Akt Normativ bazohen në treguesit e monitorimit të investimeve, ku është konstatuar fakti se në disa projekte me financim të brendshëm dhe financim të huaj ka pasur probleme me ecurinë e realizimit.
“Analiza e zhvillimeve 11-mujore 2015, ka sjellë nevojën e reflektimit të disa ndryshimeve dhe korrigjimeve në disa projekte të investimeve kapitale. Nëpërmjet Aktit Normativ janë rialokuar rreth 241 milionë lekë investime, që konsistojnë kryesisht në ndryshime të planit të financimit të brendshëm dhe të huaj, midis programeve dhe institucioneve të ndryshme, korrigjime të planit të disa projekteve me financim të huaj, të cilat kanë performuar më shumë se parashikimet e bëra nga çdo ministri linje”, thuhet më tej.
Ndërhyrjet në buxhet propozohen në zëra, ku janë evidentuar mosrealizime në raport me planin e parashikuar.
“Nga analiza e fundit e ecurisë së investimeve publike rezulton se ka një përthithje më të lartë në projektet e infrastrukturës. Nisur nga kjo, do të financohen 2 000 milionë lekë për të mos krijuar detyrime të reja për vitin 2015. Njëkohësisht, nga mosrealizimet e evidentuara do të financohen me vlerën prej 2 500 milionë lekë projektet e investimeve për Fondin e Zhvillimit Rajonal, duke lehtësuar barrën e buxhetit për vitin 2016 në këtë zë. Për disa projekte me financim të huaj do të korrigjohen planet e parashikuara për projekte me performancë më të lartë që financohen me kredi dhe grante”, thuhet në aktin e propozuar nga Ministria e Financave.
Nisur edhe nga praktika e viteve te kaluara, një fond prej 5 000 milionë lekësh është parashikuar t’i kalojnë fondit të shpronësimeve, që administrohet në një llogari në Bankën e Shqipërisë. Ky fond është parashikuar të përdoret për disa shpronësime, që janë aktualisht në proces, por edhe për të tjera, që priten t’i hapin rrugë shumë investimeve të reja që do vijojnë në vitin 2016. Ndryshimet do të realizohen kryesisht nga kursimet në zërat e investimeve publike, por ndërkohë për financimin e shtesave do përdoren edhe kursimet nga zërat e interesave dhe detyrimeve të prapambetura dhe kontigjenca, që arrijnë në rreth 5 000 milionë lekë.
Ministria e Financave, në njoftimin e saj, thekson se ndryshimet e mësipërme me Akt Normativ nuk ndryshojnë parametrat kryesorë të buxhetit të vitit 2015, pra nuk ndryshojnë totalin e të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit buxhetor, duke qenë në linjë me objektivin e konsolidimit fiskal.
“Ministria e Financave ka bindjen se ndryshimet e paraqitura sigurojnë një eficiencë më të lartë të përdorimit të fondeve publike, veçanërisht atyre të investimeve, pasi realizon kalimin e fondeve nga projekte me ecuri të ngadaltë në projekte me ecuri më të lartë, duke ndikuar në shlyerjen në kohë të detyrimeve kontraktuale, por edhe duke ndihmuar në mënyrë modeste ekonominë e vendit”, përfundon njoftimi.
Akti Normativ 2015
















