Avokati i Popullit, Igli Totozani ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur paraditen e sotme në Himarë, ku një turist rus mbeti i vdekur pasi u godit nga një motor uji teksa ishte duke notuar:
“Kjo tragjedi, për familjen ruse që erdhi në Shqipëri me pushime, mbetet një kërcënim prezent dhe i përditshëm për çdo pushues shqiptar apo të huaj në bregdetin tonë, gjë që shtron në mënyrë urgjente kërkesën për zbatimin e ligjit në përdorimin e motorëve të ujit, gomoneve dhe mjeteve të tjera lundruese, që janë bërë pjesë e biznesit të argëtimit. Autoritetet vendore duhet të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe pas dhënies së licencave për këto biznese duhet të ushtrojnë edhe kontrolle të vazhdueshme për zbatimin e masave të sigurisë”.
Viktima është 43-vjecari Denis Kaiumov.
Në një reagim për mediat, Avokati i Popullit i konsideron të panevojshme replikat mes institucioneve lidhur me përgjegjësinë për të garantuar siguri për pushuesit dhe çdo qytetar tjetër në territorin shqiptar.
“Këto replika nuk vlejnë përpara humbjes së jetëve njerëzore”, thuhet në reagim.
Ngjarje të tilla, shprehet Totozani, pas hetimit nga ana e organeve kompetente, duhet të zbardhin jo vetëm vrasësin, i cili drejtonte motorin e ujit, por edhe përgjegjësit në institucionet zyrtare, të cilët me neglizhencën e tyre lejuan që një tragjedi e tillë të ndodhte.
Totozani u bën thirrje autoriteteve shtetërore për ndërhyrje të menjëhershme në këtë “situatë kaotike” të mjeteve lundruese buzë bregut të detit të mbushur me pushues, në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tjera.















