Po vijon edhe sot aksioni i Policisë së Shtetit në Lazarat për të asgjësuar drogën. Situata vijon të jetë e tensionuar prej mbrëmjes së të dielës. Ndërkohë edhe gjatë natës së djeshme ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë dhe banorëve, ku për pasojë është plagosur një polic.
Mësohet se sot në mëngjes 4 autoblinda të nisura nga fshati Dervican, arritën të hyjnë në fshatin e Gjirokastrës. Aktualisht janë plot 800 forca policore nga Tirana, Gjirokastra, Fieri dhe Shkodra, po ashtu forcat RENEA, Delta Forcë dhe forcat speciale që po avancojnë shtëpi më shtëpi për të marrë nën kontroll situatën, pasi gjatë mbrëmjes kanë vijuar të shtënat e armëve pa pushim.
Për pasojë, raportohet se një efektiv i FNSH-së ka mbetur i plagosur rreth orës 02:00 pas mesnate. Policia sqaron se i plagosur ka mbetur efektivi S.M, punonjës i Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër. Burime nga policia bëjnë me dije se efektivi i FNSH-së është plagosur në dorë dhe në këmbë. Ai është dërguar menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të plagosjes. Forcat e policisë kanë ndërmarrë një operacion në Lazarat të Gjirokastrës që prej mbrëmjes të së dielës për asgjësimin e lëndëve narkotike. Efektivët kanë hasur në kundërshtimin me armë të një grupi personash, të cilët kanë qëlluar me mortaja e mitralozë, për të penguar operacionin. Por pas rezistencës, policia njoftoi asgjesimin e 11 mijë bimë kanabisi.
Ndërkohë, policia publikoi edhe listën e personave që kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të rendit.
Ministria e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen e saj për banorët e fshatit Lazarat, që të distancohen nga elementët kriminalë dhe të mos dalin nga banesat për arsye të sigurisë së jetës dhe shëndetit të tyre. “Të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor.
Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo kohë, të gjithë qytetarëve që do të kenë nevojë,” thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Brendshme.
Edhe Polica e Shtetit u bën thirrje personave të armatosur që të dorëzojnë armët e të vihen në dispozicion të policisë, pasi policia është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj dhe nuk do të mund ti shpëtojnë përpalljes me forcën e ligjit. “Çdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë. Njëherazi Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të bashkëpunojnë me policinë dhe të bëjnë të mundur identifikimin e elementëve kriminalë, që janë duke u konfrontuar me armë me policinë, duke njoftuar Policinë e Shtetit për identitetin e personave që po veprojnë në territorin e fshatit të tyre.
Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gatishmëri të plotë dhe të vendosur për të përmbushur me sukses operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve, duke kontribuar në sigurinë e banorëve të Lazaratit dhe të qytetarëve,” thuhet në njoftimin për media të policisë.
Vetë drejtori i Policisë Artan Didi është shprehur për media se policia synon që të mbyllë operacionin me sukses dhe pa viktima. Ai shtoi se operacioni po kthehet nga një operacion kundër kultivimit të lëndëve narkotike në operacion për goditjen e një grupi kriminal të strukturuar.
“Nga një operacion kundër kultivimin të lëndëve narkotike, po kthehet në operacion për të goditur një grup kriminal që e ka mbajtur në kthetra këtë vend për ta shfrytëzuar për elemente kriminale. Nuk kam informacione për lidhje politike, por duket qartë që është një grup që dirigjohet dhe i strukturuar. Kjo duket edhe nga lojërat që kanë bërë dje në media ku telefonuan disa prej tyre. Policia nuk ka ndërmend të tërhiqet jemi të vendosur të vendosin ligjin në çdo cep të Shqipërisë. 11 mijë bimë ka asgjësuar policia, dhe vet banorët kanë asgjësuar një pjesë të madhe të bimëve që kanë mbjellë dhe fidanëve. Banorët janë me policinë e kuptojnë rëndësinë e këtij operacioni. Është grupi kriminal që do akoma ti mbajë ata mbas vetes dhe ti tërheqë mbas vetes sepse duke pasur banorët ndihen më të fuqishëm. Ne jemi futur në një pjesë të Lazaratit. Nuk e menduam si gjë të lehtë ndaj nuk u nxituam të ndërhynim më parë. Kemi nisur këtë operacion që mund të vazhdojë në varësi të situatës që paraqitet atje. Duam ta mbyllim këtë operacion pa viktima. Policia është e detyruar nga ligji të mos tërhiqet. Ne i kemi dalë për zot kësaj pune dhe nuk kemi të drejtë të tërhiqemi”, u shpreh Didi.















