Apeli i Doktor i Shkencave Pyjore shkon ndaj Institucioneve Shtetërore, organizatave jo qeveritare të mjedisit, pyjeve, kafshëve e shpendëve, natyrës, gjuetisë, popullsisë të rretheve Mat, Mirditë e Dibër veçanërisht banorëve të fshatrave, të krahinës së Lurës, Katër Grykëve, Macukullit, Suçit, Kurdarisë, Mallunxës, Burgajetit, Lisit, Klosit etj
Dëmtimi i pyjeve ka bërë që Selman Meziu me profesion inxhinier pyjesh me titull Doktor i Shkencave Pyjore të apeloj ndaj institucioneve Shtetërore, organizatave jo qeveritare të mjedisit, pyjeve, kafshëve e shpendëve, natyrës, gjuetisë, popullsisë të rretheve Mat, Mirditë e Dibër veçanërisht banorëve të fshatrave, të krahinës së Lurës, Katër Grykëve, Macukullit, Suçit, Kurdarisë, Mallunxës, Burgajetit, Lisit, Klosit etj. Megjithë protestat e vazhdueshme, kontrollet e inspektoriatit të Mjedisit, vazhdon në çdo kënd të Shqipërisë, shkatërrimi i mbulesës më të fuqishme të gjelbërt, duke prerë pyjet monument natyre si ajo Venjës, në Hoshtevë të Zagorisë në Gjirokastër, prodhimi i qymyrit të drurit në sipërfaqet shkurrore që nga Kudhësi në Vranisht në krahinën bregdetare të Jonit në Himarë etj. Me datën 20 Tetor do të zhvillohen tenderi në Selinë e Ministrisë së Mjedisit në Tiranë, për shfrytëzimin e disa parcelave (në pyjet madhështor, dikur) të Balgjait përkatësisht në Parcelat 11, 12, 13, 14 15, 16,17, 18, 19, 20, 21 dhe 22. Objekti i këtij krimi marramendës, do të jenë edhe parcelat 18 dhe 19 te cilat përbëjnë kurorën e gjelbërt që rrethojnë disa nga liqenet natyrore të Balgjait. Duke sjellë rrezikun e formimit të vatrave grryrëse, shkatërrimin e peizazhit natyror, dhe largimin e turistëve të vendit e të huaj nga shkaku i shpërfytyrimit të mjedisit pyjor e natyror. Dhe tragjedia që po përgatitet në labirinthet e piramidës shtetërore e institucionit më të madh të Shqipërisë, Ministrisë së Mjedisit, nuk mbaron me kaq, dhe ja: Në të dy anët e përroit me vatra gërryerjesh të dendura të Lusës, që ka prurje të mëdha mbi të gjitha në vjeshtë e dimër do të sjell tmerre të papara, duke shkatërruar sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore e pyjore dhe rrezikuar rrëshqitje e përmbytje në fshatrat e Kurdarisë, Suçit e Mallunxës. Kështu do të përsëritet në vazhdim, tragjedia makabre e vitit 1977. Në këto grupe ngastrash që kapin një sipërfaqe prej qindra hektarësh vegjetojnë bujshëm lloje të rralla si Arnen, Bredh, Boronicë, Agulice etj, me vlera të mëdha ekonomike, dhe vlera të veçanta botanike e ekologjike. Duke prerë rrafsh këto pyje në të cilat kanë gjetur habitatin e tyre kafshë e shpendë më të rrallat si Gjeli i egër, Kaprolli, Riqebulli e lloje të tjera shumë me pakicë por që janë “floriri i gjallë” i natyrës së këtyre pyjeve. Ky krim që po planifikohet e përgatitet me kujdes e dinakëri për të fshehur korrupsionin në zyrat e shtetit të sotëm, kërkon të shuaj bukurinë peisazhistike, të vetme, në zonën verilindore, duke shkatërruar gjashtë margaritarët e kaltër te zonës malore të Balgjait, LIQENET. Dhe jo vetëm por duke shtrirë kthetrat e krimit ekologjik, natyror, ekonomik e demografik deri në zhdukjen e ngadalshme, por të pakthyeshëm të tetë margaritarëve të Kacnisë, liqenet e kaltër e ujëftohtë. Dhe kjo kryhet vetëm e vetëm që latifondistët e rinj të këtyre zonave ose përreth të udhëhequr nga ‘’uzurpatorët,, e politikës në piramidën shtetërore, të majmen me paratë e natyrës, të pyjeve, duke rrezikuar jetën e disa breznive të popullsive të këtyre heronjve që jetojnë me një mijë e një sakrifica në këto zona tepër malore ku të ardhurat për jetesë e për të vazhduar jetën i “thithin” me kujdes vetëm nga këto pasuri, dhurate e natyrës ndër shekuj. Organizimi i administrimit, qeverisjes e ruajtjes së pyjeve e ndërtuar, sipas reformës së Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, në vend që të ndaloi me “forcë të hekurt” shkatërrimin e pyjeve të virgjëra të Macukullit të cilat po priten në shkallë të gjerë, rrafsh, pa kurrfarë kriteresh teknike e pa mëshire; gjithashtu metastaza e këtij shkatërrimi total është shtrirë dhunshëm edhe në ato sipërfaqe të kufizuara të malësive të Mbasdejës, Vanas, Zhuret e Pllaut, Gryka e Setës, Kurora e pyjeve përrreth Fushës së Pelave, Qeshkëza e deri tek Liqeni i Luleve të Lurës. Të gjitha këto tregojnë më së miri, qartë, kuptueshëm, shkoqur se organizimi i qeverisjes së Pyjeve sipas Reformës Koka tanimë ka dështuar krejtësisht. Ndryshimi i saj duhet vënë sa më shpejtë që të jetë e mundur në rendin e ditës së qeverisë Rama. Duke gjykuar në detaje të gjithë mësymjet që po kryhen mbi këto pak sipërfaqe të mbetura gjithkund Shqipërisë, duke i trajtuar barbarisht me prerje të pa mbështetura teknikisht e ligjërisht iu bëj thirrje: të mbështesim me të gjitha forcat, mënyrat, mjetet demonstratën disa ditore të fshatit SUÇ të rrethit të Matit; të organizohen të tilla demonstrata në të gjitha zonat, krahinat e fshatrat e Shqipërisë, ku po shkatërrojnë pyjet me firmat fantazma ndërtime, gurore etj. Të organizohet propagandimin e tyre në të gjitha organet e shtypit privat, të radiove e televizioneve shtetërore e private makinën virtuale te internetit etj, për të rritur pjesëmarrjen e “korrur” solidaritetin e gjithë popullit shqiptar. Kryetarët e shoqatave të Specialistëve të Pyjeve, të gjuetarëve, natyrës e monumenteve të saj etj, të bashkërendojnë veprimet për të qenë në krye të këtyre demonstratave. Te caktohet data e sakte, para datës njëzetë Tetor duke organizuar një demonstratë të fuqishme para Ministrisë së Mjedisit, parlamentit, Selisë se presidentit e ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Në udhëheqjen e kësaj lëvizje krahinore rrethi apo deri dhe fshati, duhet të vihen teknikët e inxhinierët e papunë, pensionist apo ato që kane ndërruar profesionin, por që ende kanë në shpirt e zemër idealin e pigmentit të gjelbërt. Kjo duhet të kryhet urgjentisht përpara së të firmosen aktet e krimit të gjelbërt dhe të ardhmes mjerane të mijëra banorëve të këtyre krahinave malore. Koha nuk pret që të gjithë të bashkuar pylltarë, dashamirës të natyrës, popull në mbarë Shqipërinë, student, pedagogë e profesor, të protestojmë me forcë, guxim e të organizuar në të gjitha skajet e vendit për të ndaluar masakrën kanibaleske te organeve e organizmave shtetërore në zhdukjen përfundimtare të mbulesës së gjelbërt pyjore e cila është, mirëqenie, shëndet, burim të ardhurash ekonomike, breza të shëndetshëm e bukuri peizazhesh e jetë gjallesash që zbukurojnë e ripërtërinë energjitë e jetën e njerëzve.















