Gallata e fshehjes pas gishtit dhe mos pranimi i asnjë përgjegjësie nga vetë kryeministri Rama dhe ministrat e tij, posaçërisht Tahiri, vazhdon. I pari pas kaq ditësh heshtje, urdhëron nga Berlini zyrën e shtypit, të flasë për çështjen e fotos me presidentin Obama, të blerë me para që nuk u dihet origjina. Por çfarë thotë? Që, “nuk është krim të dalësh në foto me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” dhe pastaj merret me Reformën në Drejtësi dhe përsërit refrenin, “fajin e ka opozita”. Se kush po e akuzon, se përse doli në foto me Obamën, vetëm mendja dhe këshilltarët e tij mund ta dinë. Pyetjet e thjeshta që duhet tu përgjigjet kryeministri për këtë skandal, me të cilin nuk janë marrë vetëm “media amerikane të dorës së dytë, të paguara nga PD”, por edhe agjenci nga më prestigjiozet në botë si Returs dhe VOA, janë si më poshtë:
1- A e njeh dhe a e ka takuar ndonjëherë Edi Rama shqiptaro-amerikanin Bilal Shehu që po hetohet nga FBI, për donacion të jashtëligjshëm në fushatën presidenciale?
2- A është pritur në SHBA, në muajin tetor në Nju Xhersi Edi Rama nga Bilal Shehu dhe a ka udhëtuar bashkë me atë drejt San Franciskos?
3- Si e shpjegon Rama faktin që në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtin vend, foto me presidentin Obama, ka bërë edhe Shehu, edhe ai?
4- Ka qenë Edi Rama në eventin në San Francisko për të cilin po heton FBI, ishte brenda, jashtë, në korridor, hiç fare dhe nëse po, me kë ka qenë i shoqëruar?
5- Duke e ditur të gjithë që një nga gjërat më të vështira në botë, është ti afrohesh presidentit të SHBA dhe jo më të takohesh e të fotografohesh me atë, me çfarë statusi e ka realizuar Rama këtë gjë, kush ndërmjetësoi?
Këto janë pyetje elementare pa ndonjë “zarar” të cilave kryeministri fare kollaj mund tu përgjigjet, nëse do të mbyllë gojët që nxjerrin thashetheme, qofshin ato vendase apo të huaja. Nëse sqaron këto, ska edhe pse pyetet në vazhdim e shqetësohet, në është ai “zotëria i huaj nr.2” që ka paguar ato 80 mijë dollarë, fakt tashmë i pranuar nga Bilal Shehu dhe certifikuar nga Ministria e Drejtësisë së SHBA, dhe aq më pak ku i ka gjetur.
Por më befasues në këtë drejtim është ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndërkohë që grabitësit e Rinasit kushedi se ku po bëjnë “jetë sheiku” me milionat euro të grabitura fare lehtë, ai kujtohet pas 4 ditësh dhe flet. Të mos merremi me vonesën, si akt skandaloz i një ministri, por çfarë thotë?
“Ju ftoj edhe ju (gazetarët) të jeni më të vëmendshëm ndaj institucioneve që kanë përgjegjësi. Ka një kontratë koncensionare, që e bën policinë të mos ketë përgjegjësi për aeroportin, ku e keni dëgjuar ju, që policia të kujdeset për udhëtarët në terminal?!”.
Lëshon këtë përçartje dhe ikën pa dëgjuar asnjë pyetje. Gjithsesi, ne po ja bëjmë disa.
1- Pse e devijon thelbin e skandalit, kush po të kërkon llogari për kujdesin e pasagjerëve në terminal?!
2- Me çfarë merren, rreth 300 uniforma blu të Komisariatit të Rinasit?
3- Kush “i mbulon”, grupet e armatosura, të maskuara, të motorizuara që çajnë rrethimin e një objekti të rëndësisë së veçantë? Policia apo ato cupëlinat e koncesionarit, që skanë në pajimet e tyre, as shkop gome dhe jo më armë?
4- Çfarë thotë ligji për rolin e policisë në aeroport, cilat janë detyrat, përgjegjësitë e saj?
5- Mirë për grabitjen që skeni, faj se ndodhi brenda territorit që përgjigjet koncesionari, po më pas pse nuk u kapën autorët?
6- Çfarë mendoni zoti ministër, për aktin e paprecedent ndaj një vendi që synon statusin kandidat, rikthimin e e Shqipërisë në listën “e vendeve të pasigurta”, nga Belgjika?
7- Po për dy rastet e tjera të ngjashme, ende pa autor në pak muaj, kush ka përgjegjësi?
Ka shumë e më shumë pyetje, por le tu përgjigjen të paktën këtyre më elementareve.
Kjo gallatë që krijojnë këto përpjekje të dëshpëruara për të fshehur, atë që nuk fshihet dot më, të kujtonë atë fëmijën e prapë, i cili ka vjedhur çokollatën e motrës, e ka ngrënë dhe betohet se nuk e ka bërë ai, ndërkohë që fytyrën e ka të përlyer gjithandej.















