“Njerëzit e zgjuar në Bruksel, Frankfurt apo Berlin e dinin mirë që në maj të vitit 2010 se Greqia nuk do i paguante kurrë borxhet. Por e bënë këtë, sikur Greqia të mos ishte e falimentuar, por të kishte para të mjaftueshme”. “Në këto kushte, t’i japësh shtetit më të paaftë për të shlyer detyrimet, kredinë më të madhe në histori, ky është krim kundër njerëzimit”. Kjo është një deklaratë falimentimi nga autoriteti më i lartë- në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Në programin televiziv të ARD “Historia e parë”, ministri i Financave në Greqi, Yanis Varoufakis pranon atë që politikanët gjermanë e kanë mohuar vazhdimisht: “Greqia nuk do e shlyejë kurrë borxhin e saj”, tha ai në një intervistë të bërë në verën e vitit 2014 dhe të transmetuar tani.
Politikani e quan vendin e tij “si më të paaftin ndër të gjitha shtetet për të paguar borxhet”.
E thënë qartë: ministri i Financave në Greqi po u thotë shikuesve gjermanë në fytyrë, që miliardat e tyre kanë humbur. Jo vetëm kaq, por ai ofendon politikanët gjermanë dhe europianë, që kanë miratuar programin e ndihmës për Greqinë.
Ministri i Financave thotë se Greqia është e falimentuar dhe sulmon të gjithë politikanët, që kanë miratuar paketën e shpëtimit.
Krim kundër njerëzimit? Kështu quhen zakonisht krimet e rënda të luftës si përdorimi i armëve kimike, gjenocidi.
















