Endri Hatillari erdhi në Britani rresh 17 vite më parë, ku edhe u diplomua me Master Shkencor ne menaxhim. Është i njohur në komunitetin shqiptar të Britanisë si aktivist, por edhe si kandidat për zgjedhjet lokale në Partinë Laburiste. Ai është zgjedhur anëtar në Këshillin Koordinues të Diasporës. Endri shpreson shumë që ne te jemi gjenerata e fundit (që pas krijimit të Shtetit Shqiptar), të cilës i mohohet e drejta e votës së lirë .

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Asgjë nuk është e prerë me thike në mënyrë ekzakte. Përgjigja e duhur mendoj se do të ishte që gjerat gërshetohen natyrshëm dhe njeriu përpiqet të bëjë zgjedhje pragmatike, duke qëndruar brenda kornizave të asaj çka i përshtatet me profilin dhe personalitetin e tij.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Formimi akademik dhe kurorëzimi me sukses i një pune super të lodhshme gjatë viteve universitare në Britani janë ato që kanë shënjuar kthesën e fortë në rrjedhën e jetës sime si për sa i përket formimit kulturor, ashtu dhe atij profesional.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Nëse punon me përkushtim, dhe përulësi, herët a vonë do të mbërrish atje ku synon.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Rrugëtimi në një shoqëri tepër të ndryshme dhe më të avancuar, për sa i përket zhvillimit social ekonomik është një sfide e madhe në vetvete. Çdo sfidë tjetër brenda saj mbetet një element plotësues i peizazhit të jetës, ku e shkuara dhe e ardhmja mbivendosen brenda një fragmenti kohor për të na bërë të jetojmë të tashmen, sipas perceptimit unik individual.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Jam i bindur se çdo zgjedhje tjetër që do të kisha bërë do të kishte qenë po aq e frytshme në funksion të progresit dhe përmirësimit të standardit të jetës sime.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Pa dashur të bie në grackën e të ngriturit vetes një lapidar lëvdatash, sepse do ishte e tepërt, do doja te ndalesha vetëm në një aspekt.
Përmbushja e studimeve Universitare dhe Pasuniversitare (Maste Shkencor) ne Britani pa mbushur 25 vjeç, pa përkrahjen e kurrkujt, madje me burime financiare të vetësiguruara ndryshe nga moshataret e kohës të cilët ‘kreditë studentore me norma të buta interesi’ mund të mos i kenë shlyer ende sot.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Krenari e ndërthurur me energji pozitive plot dritë dhe Diell, por një vend i marrë peng nga disa tipa që banorëve të vendit tim, për të tretën gjeneratë radhazi nga krijimi i shtetit Shqiptar, vazhdojnë t’i mohojnë të drejtën e votës së lirë.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Jeta më ka mësuar se ‘Mbijeton jo më i forti, por ai qe di të përshtatet më mirë’.
Të paturit e aftësisë së përshtatjes dhe shpirtit të sakrificës janë veti të cilat i kam zbuluar në veten time prej kohesh.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Unë kam ardhur ne Britani në moshë 18 vjeçare, si student apo praktikant në sektorin e turizmit. U bë shkak mundësia qe shkolla e ‘Hoteleri Turizmit’ ne Tiranë më ofroi si experiencë pune ne Britani, që unë të vija këtu pothuajse, 17 vjet me parë.
Nuk mund të them se kam qenë imun 100% ndaj fenomenit të dizavantazhimit apo diskriminimit, por të paktën nuk mendoj se e kam vuajtur këtë pjesë aq shumë sa brezat e tjerë.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Kam vënë re se ekziston një dëshirë e madhe dhe energji e pa kanalizuar brenda faktorit shqiptar, sidomos atij jashtë kufijve politikë të Shqipërisë.
Intensifikimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ‘nder vedi’ do të ishte qasja e duhur për krijimin e një sinergjie pozitive e cila do të rrisë kohezionin ndërmjet strukturave apo grupeve të ndryshme social brenda shqiptarisë.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Për parantezë do të thoja se, ndryshe jo domosdoshmërisht nënkupton më mirë për këdo. Çfarë është ndryshe dhe më mirë për mua, mund të nënkuptojë ‘ndryshe dhe më keq’ për dikë tjetër’
Thënë e gjitha kjo, mundet që gjithsesi çdo qytetar mesatar në Shqipëri të bashkohet në një pikë. Të ketë drejtësi ligjore dhe sociale. Ose për t’i dhënë disa nota folklorike bisedës, ‘Të mos i varen me ujkut mëlçitë në qafë’ se na morën ‘në qafë’. Këtu i referohem boshtit kryesor të shoqërisë moderne, i cili është sistemi i drejtësisë dhe e drejta e votës në liri absolute.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Do te doja ta riperifrazoja pyetjen tuaj (me lejen tuaj) duke thënë se: qeveritë shqiptare nuk kanë pasur ndonjë qasje ndaj diasporës. Si rrjedhim nuk mund të diskutojmë se cila ka qenë e duhura kur qasje nuk ka pasur fare, përveç se indiferentizëm. Iniciativat (apo qasjet, siç Ju doni t’i quani) e kohëve te fundit nga qeveria aktuale i kane dhënë një dimension te ri marrëdhënies se diasporës me Shqipërinë.
Deri para pak kohesh ka pasur vetëm ‘marrje’ apo përfitime të Shqipërisë prej Diasporës. Tashme është krijuar infrastruktura dhe krijuar klima e duhur për të shtuar edhe ‘dhënien’ apo ofrimin, dhe si rrjedhim po kthehet dita ditës në një ‘marrëdhënie’ normale.
Pa dashur te zgjatem, me konkretisht dua të evidentoj se janë krijuar një sërë institucionesh në Republikën e Shqipërisë të dedikuara plotësisht për të punuar posaçërisht për diasporën.
Ne funksion të anëtarit të ‘Këshillit Koordinativ të Diasporës’ për Republikën e Shqipërisë, përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë grupet e interesit apo individët me interesa apo nevoja të caktuara të më kontaktojnë për të komunikuar sugjerimet e tyre ne lidhje me çka ata mendojnë se i duhen transmetuar instancave përkatëse të Shtetit Shqiptar.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Plani im kryesor është të mos bëj plane. Përpos dëshirave dhe aspiratave që individi ka në lidhje me të ardhmen e jetës se tij, do të doja të evidentoja se eksperienca e jetës më ka mësuar se sado të mundohemi të bëjmë plane, Zoti apo Universi ka një tjetër plan të ndryshëm për ne nga ai te cilin ne kemi në mendje.
Do doja të theksoja, se e rëndësishme mbetet që njeriu të këtë vizion të qartë dhe ide konkrete për realizimin e aspiratave te tij.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
Duke ju përgëzuar për iniciativën, e cila ndihmon në konsolidimin e frymës komunitare në Britani, do shpresoja shumë që brenda një periudhe të shkurtër të dyfishonit ndjekësit tuaj online.

















