Suksesi i shumë bashkatdhetarëve anë e mbanë botës, dita ditës, po rezulton me shumë suksese në profesionet e tyre. Një ndër afaristët e suksesshëm është Bekim Brestovci nga Lipjani, i ardhur në Gjermani në vitin 93, i cili veprimtarinë e tij prej afaristi e ushtron në rrethinën e Aschaffenburgut të Gjermanisë. I kyçur në botën e biznesit në vitin 2004, sot z. Brestovci ka në zotërim gjithsej 11 firma me më shumë se 1000 të punësuar, ku një pjesë e konsiderueshme janë shqiptarë nga Kosova, për punën e të cilëve z. Brestovci flet me krenari dhe respekt. Kompanitë e tij janë të sistemuara mirë në tregun gjerman dhe janë shumë të vlerësuara për korrektësinë, profesionalizmin dhe kualitetin e shërbimeve që ofrojnë. Bekim Brestovci është një intelektual i njohur e njëherësh është drejtori menaxhues i Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë të mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Profesioni, për të cilin qysh në moshë të re isha përcaktuar, ishte ai i juristit. Fillova të studioj në Fakultetin Juridik në vitin 1987, në Prishtinë, me dëshirën më të madhe që profesionin e juristit ta ushtroja gjatë gjithë karrierës sime. Ishte situata politike e krijuar gjatë viteve 90-të ajo e cila, edhe mua, sikurse shumë bashkëmoshatarëve të mi, na hodhi në rrugën e mërgimit, rrugë kjo që pamundësoi arritjen e qëllimeve të mija profesionale për një kohë të gjatë.
Duke bërë punë të ndryshme në mërgim, nga ato më të thjeshtat, me kohën fillova ta krijoj prapë një imagjinatë të një profesioni të ri, që ishte profesioni i menaxherit. Fatbardhësisht këtë synim e arrita, duke bërë përgatitjet e duhura profesionale, në këtë lami.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin profesional?
Rrugëtimi im, tani në profesionin tim të përzgjedhur, filloi të realizohet në vitin 1997, kur, për herë të parë, fillova marrëdhënien e punës në cilësinë e menaxherit. Ishin pastaj shumë e shumë trajnime profesionale e deri te mbarimi i studimeve për menaxhim të resurseve njerëzore, aktivitete të cilat e shoqëruan aktivitetin tim drejt përgatitjes profesionale.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit.
Sukseset janë të ndryshme dhe është vështirë të gjeneralizohet një përgjigje në lidhje me suksesin. Nëse i referohem suksesit tim në afarizëm, atëherë do thoja që çelësi i suksesit tim ka qenë vizioni i qartë, përkushtimi por edhe fati dhe guximi.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështira në jetën tuaj?
Sfida më e madhe për mua filloi në kohën kur unë u largova nga vendlindja dhe ika në Gjermani. Në Kosovë kisha krijuar ambiciet e mija për jetë dhe ngritje profesionale, përderisa në fillimet e mija të jetës në Gjermani unë u përballa fillimisht me një degradim të integritetit tim personal e më pastaj me përballje me punë të cilat kurrë nuk do besoja që do i bëja. Tanimë nuk isha më ai studenti më i mirë i gjeneratës, nuk isha më ai djali më i sjellshëm i lagjes e as ai i riu me pasion për t’u bërë një jurist i suksseshmëm. Tani në Gjermani isha një punëtor i thjeshtë krahu, një i humbur mes mosmundësisë fizike për punë të rënda dhe mos mundësisë për t’u kyçur shpejt në rrjedhat e jetës. Kjo, padyshim, ishte sfida më e rëndë e jetës sime.
Na ndodhë shpesh ta kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta e jonë nëse do bënim zgjedhje të tjera. Si ju rezuton bilanci me vendimet e juaja.
Edhe pse jata më ka përballur me shumë ulje dhe ngritje, besoj që brenda mundësive kam arritur lumturinë e jetës në shumë dimensione të saj. Besoj që edhe po ta kisha një jetë të dytë, nuk do doja ta jetoja shumë më ndryshe se këtë të paren.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është qe vazhdimisht ta tejkalojë veten, cilat arritje tuajat përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Sukseset e mia në afarizëm dhe përgatitja ime profesionale janë një kapitull i rëndësishëm në jetën time dhe më bëjnë shumë krenar. Por më së shumti cilësoj të arritur faktin që shumë të rinj më shohin si model të triumfit me luftën me shumë sfida drejt suksesit.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme të krijon tingulli i fjalës “Atdhe”?
Fjala Atdhe ndjehet thellë në shpirt e në zemër edhe kur ajo nuk shqiptohet. E djeshmja ime që lidhet me atdheun ishte ikja nga Atdheu me shumë dhimbje në shpirt e zemër, përderisa e sotmja është kthimi im në Atdhe me shumë pasion e entuziazëm, të cilin unë e realizova mbas 25 viteve të qëndrimit tim në mërgim.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni të suksesshëm.
Besnikëria është një virtyt i rëndësishëm që na karakterizon neve shqiptarëve. Edhe në afarizëm besnikëria ndaj partnerëve afarist, klientëve e furnitorëve por edhe në jetën private besnikëria ndaj shoqërisë krijon favore te pakontestueshme për të qenë më i pranuar, gjë që ndihmon edhe për të qenë i integruar, por edhe për të qenë i suksesshëm.
Çfarë do thotë “emigrant“, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vërejtur ndonjë pasojë të këtij “statuti“ në fillimet apo aktualitetin tuaj?
“Emigranti mund të krahasohet me atë farën që e ndanë era nga trungu dhe e hedhë diku për tu zhvilluar në bimë. Natyrisht që për tu krijuar nga kjo farë një bimë nevojit shumë dritë, shumë shi e shumë punë rreth saj. Edhe mërgimtari për t’u bërë i suksesshmen nevojitet shumë përkushtim, shumë sfidë e shumë angazhim.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptarë?
Shqiptarët, kudo që janë duhet ta duan e ta respektojnë shumë më tepër njëri tjetrin. Duhet të mbizotëroi besimi te njëri- tjetri e të eliminohet dëshira për bajraktarizëm.
Çfarë duhet të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Çdo gjë fillon nga dashuria. Ne të gjithë duhet ta duam mëmëdheun shumë më tepër se sa e duam. Duhet të kemi më shumë disiplinë qytetare, ta vejmë interesin e përgjithshëm para interesave personale, të mos kemi inate politike. Zyrtarët e shtetit duhet të jenë më përgjegjës ndaj qytetarëve, ndërsa qytetarët duhet të punojnë shumë më shumë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Më shumë sundim të rendit dhe të ligjit.

A mendoni se është e duhura qasja qe qeveria shqiptare ka ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do kërkonit nga qeveritë shqiptare?
Mistritë e Diasporës si ajo e Kosovës e po ashtu edhe ajo e Shqipërisë po përpiqen që brenda mundësive të tyre buxhetore, por edhe organizative, të japin kontributin e tyre në ndihmë ndaj diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar, të ruajtjes së traditës dhe kultutës shqiptare. Vetë fakti që diaspora shqiptare është shumë e shpërndarë në shumë shtete të botës e bën të bukur e komplekse mundësinë e arritjes së një efekti në objektivat e caktuara. Edhe pse ka ende shumë për t’u dëshiruar, mendoj që Ministritë e Diasporës po japin një kontribut të çmuar.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Jeta e një njeriu ka shumë kapituj të cilat duhet bërë përpjekje për t’i plotësuar. Ajo për çfarë unë do përkushtohem tani, me më intensitet se deri sot, është kalimi i kohës më shumë me familje dhe puna në të mirën e vendit tim.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do të ishte mesazhi i juaj si motivim?
Pune e suksesshme “The Albanian”-s, e bënë krenar çdo shqiptar, kudo që ai është. Vazhdoni të punoni me përkushtimin dhe korrektësinë që keni dhe suksesin do e keni në vazhdimësi të garantuar!
“The Albanian”