Një 65-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke u lyer me benzinë dhe duke i vënë flakën vetes. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në lagjen nr.2 në qytetin e Sarandës.
Adem Brahaj, ka dalë në oborrin e pallatit ku banonte prej disa vitesh me qira dhe pasi ka lyer trupin me benzinë i ka vënë flakën vetes.
Në momentin kur ai ka tentuar aktin vetëvrasës nuk kishte asnjë person tjetër në apartament.
Por, një banor i pallatit ka parë nga dritarja veprimin e 65-vjeçarit dhe ka njoftuar në kohë edhe ambulancën dhe policinë.
I moshuari është dërguar në spital nga ambulanca dhe sipas mjekëve ka një djegie në gradën e tretë pothuajse në pjesën më të madhe të trupit.
Gjendja e tij është kritike, për rrjedhojë bluzat e bardha të Sarandës pas ndihmës së parë vendosën transportimin e tij për mjekim të specializuar në Tiranë.
Brahaj është në pension dhe se jetonte vetëm me bashkëshorten e tij dhe se nuk kanë fëmijë. Sipas policisë, 65-vjeçari ishte në gjendje të rëndë psikologjike dhe gjithashtu vuante dhe nga tensioni.















