Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, të dyshuarit kryesor për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri do të lirohen nga burgu. Prokuroria për Krimet e Rënda ka pushuar çështjen ndaj tyre dhe ka urdhëruar lirimin na burgu, ndërsa ende nuk bëhen me dije detaje të tjera. Por ndërkohë sipas ABCNeës, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka refuzuar fletëthirrjet e Prokurorisë për Krime të Rënda.
ABCNews ka mësuar se ministri Tahiri nuk i është përgjigjur dy ftesave të prokurorisë për të dhënë shpjegime, me cilësinë e të dëmtuarit në dosjen ndaj të dyshuarve për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të tij.
Burimet thanë se ministri Tahiri, përveç mosparaqitjes, nuk ka kthyer edhe përgjigje për arsyen e refuzimit për të dhënë shpjegime.
Ndërsa në një prononcim në media, në lidhje me autorësinë e vendosjes së tritolit, ministri Tahiri pati deklaruar se autorët janë në burg, duke iu referuar arrestimit të pjesëtarëve të familjes Gjuta.
ABCNews kërkoi një koment nga Minsitria e Brendshme, për këtë refuzim, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Nga ana tjetër, babai i tij Bashkim Tahiri është marrë në pyetje që pas ngjarjes, duke ngritur dyshime se tritolin ia kishin vendosur në farmaci për shkak të detyrës së djalit, si ministër i Brendshëm pasi ka mohuar në mënyrë kategorike se ai është i përfshirë në ndonjë konflikt që mund të ketë sjellë vendosjen e eksplozivit në biznesin e tij.
Ndërkohë Policia e Shtetit ishte angazhuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke kryer edhe një sërë ekspertizash shkencore për të provuar autorësin e tritolvënies.
Ndërsa shefi i tyre, ministri i Brendshëm nuk pranon të japë dëshminë, për të sqaruar hetuesit se cili ka qenë konflikti apo arsyeja që të dyshuarit e arrestuar, pjesëtarë të familjes Gjuta, i kanë vendosur eksplozivin mëngjesin e datës 10 shkurt të vitit 2014 në farmacinë e babait të tij.
Burimet thonë se refuzimi i ministrit për të dhënë shpjegime dhe motivin e konfliktit të mundshëm me pjesëtarët e familjes Gjuta, ka zbehur edhe provat e pakta që hetuesit kanë siguruar për ngjarjen.
Mbi Vladimir Gjutën rëndojnë edhe akuza të tjera të rënda si ajo e pjesëmarrjes në grupe të strukturuara kriminale.
















