Një 37-vjeçar shqiptar i arrestuar pak ditë më parë nga policia greke në Rodos, është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa bashkëpunëtori i tij ukrainas, 23-vjeç, u la i lirë me kusht, raportojnë mediat helene.
Shqiptari i njohur si “Spartani”, nuk i ka pranuar akuzat.
Prangosja e tij erdhi pas arrestimit të një 23-vjeçari nga Ukraina i cili u kap me kokainë. Ky i fundit pranoi të bashkëpunonte me policinë, duke vendosur në dispozicion edhe telefonat celularë me të cilët kishte kryer thirrje për takim me shpërndarësit e tjerë të drogës.
Ai tha se 37-vjeçari është i përfshirë në një rrjet të trafikimit të drogës, së bashku me një tjetër shqiptar që aktualisht është në burg.
“Spartani” ka deklaruar se ditën e arrestimit ishte në shtëpinë e tij.
I pyetur se pse ishte takuar me të riun ukrainas, shqiptari tha se nuk e njihte dhe se nuk e kishte takuar kurrë dhe se nuk komunikonte me të.
Ai ka deklaruar se është rrahur nga policia pa arsye për shkak se nuk ka pranuar arrestimin.
Madje, 37-vjeçari tha se kishte refuzuar të bëhej pjesë e grupeve të drogës.
Shqiptari ishte telefonuar pak ditë përpara arrestimit nga një i burgosur shqiptar 38-vjeçar, ku kishin diskutuar për një pako, por edhe këtë telefonatë e mohoi, raportojnë mediat greke.















