Ka shumë arsye për të vizituar Shqipërinë, por autorja e blogut të udhëtimeve “TravelMe.World” rendit 10 arsye për të zbuluar, sipas saj, “Perlën e Mesdheut”.
Sipas saj, Shqipëria ofron qetësi me mënyrën e jetesës dhe natyrën e paprekur, për t’u kënaqur dhe mahnitur me thesaret e saj natyrore.

Në artikullin me titull “Sekreti i fundit i Evropës – 10 arsyet më të forta për të vizituar Shqipërinë tani!”, blogerja shton se Shqipëria përmban klimë mesdhetare të mrekullueshme gjatë gjithë vitit, me verë të ngrohtë dhe dimër të butë, veçanërisht përgjatë bregdetit. Pikërisht për këtë arsye, thekson ajo, “mund të ndjeni flladin e ngrohtë, që përkëdhel faqet tuaja”.

Ajo rendit gjithashtu edhe plazhet e pacenuara të Shqipërisë, duke vënë në dukje se “Shqipëria përmban qindra milje bregdet të paprekur dhe një ofertë të pasur me rërë e guralecë, që mund të bëjnë shumë prej jush të dashurohen pas këtyre brigjeve”. Duke përshkruar bukurinë e rrallë të bregdetit shqiptar, blogerja fton turistët e huaj për t’u kënaqur në ujin e kristaltë të plazheve në Sarandë dhe Ksamil.

Për të pasionuarit e vendeve malore, blogerja veçon Alpet shqiptare me një larmi e bukuri të rrallë natyrore.
Mrekullia arkeologjike është një tjetër arsye, që blogerja e “TravelMe.World” bën ftesë për të vizituar Shqipërinë.

Në këtë artikull për Shqipërinë turistike, blogerja thekson dhe gatimin shqiptar, ushqimet tradicionale dhe aq të shijshme të detit si oktapodi, midhjet, karkalecat, kallamari dhe peshku, të gjitha të përgatitura në mënyra të ndryshme.

Të gjitha këto, sipas saj, Shqipëria i ofron me çmime të ndryshme nga çdo vend evropian. Blogerja e “TravelMe.World” nënvizon gjithashtu se populli shqiptar është tejet mikëpritës dhe sipas saj, “pavarësisht përshkrimeve në internet, shumica e njerëzve, që ka takuar, flisnin anglisht dhe që nuk kishin nevojë për të komunikuar me gjeste apo me google translate”.

Ajo e përshkruan Shqipërinë si një vend shumë të sigurt, ndërsa përmend edhe tolerancën fetare, që e karakterizon, “ku katolikë dhe myslimanë bashkëjetojnë në mënyrë paqësore me njëri-tjetrin”.
Në përfundim të arsyeve të saj për të vizituar këtë thesar të Mesdheut, blogerja ua përcjell edhe një apel investitorëve të huaj për investime në vendin e shqiponjave, ndërsa të pasurit, sipas saj, kanë mundësi të blejnë një hyrje të përballueshme me pamje nga deti, transmeton Express. (r.m.)


















