“Jam fajtore, e pranoj. Unë jam penduar se atje janë katër djemtë e mi, jo tre djemtë e mi. Ai është djali im, unë nuk do ta ndaj atë asnjëherë, asnjëherë nuk e kam ndarë.”- shprehet Liljana Mulliri.
Nga qelitë e burgut 325, i bën thirrje ministrit të Drejtësisë, t’i ulë sigurinë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të shkonte pranë varreve te tre djemve, Taulantit, Xhiljanit dhe Edit, të cilët u vranë pesë vite pasi ajo ishte burgosur
“Kur vete atje më duket sikur i kam gjallë. Unë në çdo moment e ndjej fjalën e tyre, dhe unë e ndjej që ata çdo moment janë me mua, edhe pse janë atje”, shprehet Liljana.
E dënuara me 25 vite burg, e konsideron veten një nënë fatkeqe dhe mes ngashërimesh thotë se i vetmi motiv qe është ende gjallë është kujtimi i djemve të vrarë pasi jeta për të mbaroi që ditën që vrau fëmijën e pafajshëm.
Liljana Mulliri, u dënua me 25 vite burg për vrasjen e Alberto Xhihanit, me xhaxhain e të cilit pati një lidhje intime. Në vitin 2010, Besim Karaj, nga fshati Thumanë i Krujës, i ekzekutoi tre djemtë e saj. Gruaja këmbëngul se Karaj u pagua për ta kryer krimin dhe se djemtë iu vranë për motive hakmarrje. Zyrtarisht, thuhet se Karaj i vrau tre djemtë e familjes Mulliri, pasi më i madhi prej tyre, Taulanti, kishte një lidhje intime me gruan e autorit.






















