Një ditë pas publikimit sekret në shtyp të policisë, se trafikanti i drogës që kërkohej nga policia ishte fshehur në makinën e Kryetarit të Partisë Kristian Demokrate dhe deputetit Mark Frroku, ky i fundit i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilsësuar si të neveritshme.
Në një deklaratë për shtyp, Frroku ka thënë se nuk e ka përdorur kurrë imunitetin e tij si deputet i Kuvendit për të ndihmuar njerëz të kërkuar nga drejtësia.
Deputeti i PKD-së, i cilëson akuzat e dala në shtyp si të pavërteta dhe se bëhen për qëllime politike në prag të zgjedhjeve të 21 qershorit, ku partia e tij pritet të garojë.
Deklarata e plotë e Mark Frrokut
“I nxitur nga disa informacione tërësisht të pavërteta që kanë dalë në disa media dhe akuzat politike në vijim, të cilat i konsideroj si pjesë e skenarëve dhe përbaltjes ndaj meje si deputet dhe politikan, dua që të sqaroj opinionin publik, zgjedhësit e mi, mbështetësit dhe miqtë e Partisë Kristian Demokrate, si më poshtë:
Përpara se të jem një zyrtar me imunitet, unë jam qytetar dhe, konform ligjit, kam respektuar çdo kërkesë që kanë pasur në adresën time forcat ligjzbatuese për verifikim apo ndalim, sa herë që ka qenë e nevojshme.
Po ashtu, nuk kam përdorur kurrë imunitetin për t’i dhënë ndihmë asnjë personi që është i përfshirë në aktivitete kriminale, apo që ka qenë në listën e personave të kërkuar nga drejtësia.
Unë e kam dëshmuar më se një herë se nuk i jam shmangur asnjëherë drejtësisë, duke vepruar me standarde krejt të tjera nga ato të akuzuesve të mi.
Refuzoj me neveri çdo akuzë që bëhet ndaj meje për përfshirje në aktivitete kriminale dhe dua të sqaroj se të gjitha sipërmarrjet që kam ndërtuar bashkë me familjen time me sakrifica të mëdha, prej shumë vitesh, kryejnë aktivitetin e tyre konform ligjeve në Republikën e Shqipërisë. Këtu gjendet morali, fuqia por edhe dinjiteti im.
Unë jam distancuar nga këto akuza monstruoze, të cilat bëhen në këtë periudhë kur forca politike që unë drejtoj, e cila pritet të garojë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, është më e motivuar se asnjëherë tjetër për të arritur objektivat e veta”.
















