Policia italiane e qytetit të Olbias në bashkëpunim me atë të Kaljarit në rajonin e Sardenjës, ka arrestuar 13 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës mes Italisë, Holandës dhe Shqipërisë.
Operacioni i policisë italiane është shtrirë në komunat e Olbias, Galura, Pistoia, Breshia, Roma, Bergamo, Venecia e Pordenone. Hetimet këtij operacioni kanë nisur në verë të vitit 2013 në koordimin me drejtorinë antimafia të qytetit të Kaljarit, të cilat kanë zbuluar një organizatë kriminale që importonte në Itali e kryesisht në tregun e Kosta Smeraldës sasi të mëdha droge të tipit kokainë, heroinë e marijuanë.
Deri tani emat e të arrestuarve nuk bëhen me dije, por mësohet se 12 janë vënë në pranga dhe një ndodhet në “arrest shtëpie”. Mes të ndaluarve ka edhe shtetas shqiptarë.
Mediat italiane shkruajnë se droga trafikohej me automjete, ku banda përdorte mënyra shumë të sofistikuara që policia të mos binte në gjurmë të saj.
Automjetet e sekuestuara nga policia italiane i janë nënshtruar pocesit të çmontimit në oficinat e specializuara ku janë zbuluar vende të fshehta të përdorura për transportimin e drogës.















