Çka do qoftë, hajrli qoftë, thonë shqiptarët. Edhe për mirë edhe për keq. Hajrli qoftë, do të themi edhe për paraqitjen e personave të maskuar, që po thonë se janë Garda e Iliridës (GRI). Çfarë të themi tjetër? Ne nuk jemi ata që mund ta detyrojmë GRI-në të paraqitet në opinionin, e as të mos paraqitet. Sa për neve, ishalla e marrin krejt Ballkanin!
E vetmja gjë që mund ta bëjmë ne është të përpiqemi ta përshkruajmë disponimin e opinionit shqiptar në Maqedoni. Dorën në zemër, nuk janë të pakët edhe ata që thonë: “shyqyr u paraqit Garda e Iliridës, se kta tradhtarët na morën në qafë”. Janë këto reagime (ndoshta edhe me vend) të atyre që janë revoltuar, për shkak se partia e cila fiton votat shqiptare, zbaton politikë të egër nacionaliste maqedonase, që nga analistët ka filluar të cilësohet edhe si shovenizëm i majtë maqedonas.
Mirëpo, nuk janë të pakta edhe pyetjet dhe dilemat që i parashtrojnë qytetarët. Dilema e parë është: Pse pikërisht tash? Pse pikërisht në momentin kur flitet me të madhe se ka persona dhe struktura që janë të interesuar(a) të shkaktojnë tollovi dhe gjurullti, vetëm e vetëm për të humbur gjurmët e milionave dhe miliardave që kanë fituar fituara në mënyrë të paligjshme? Kini kujdes! Mendoni mirë mos ndoshta jeni futur pa dashje në skenarë për larjen (dhe shpëlarjen) e këtyre parave të pista, me gjakun e të rinjve shqiptarë (mos dhashtë Zoti)! Kujtimet për vitin 2001, janë akoma të freskëta. Plagët nga viti 2001 edhe më të freskëta. Shqiptarët vështirë se janë të gatshëm, (që pas një “hallakame” prej dy-tre muajve dhe pas dhjetëra viktimave), sërish të pranojnë arsyetime si në vitin 2001, në stilin “valla na tradhtoi Alija, Delija dhe Fazlija, se për pak ke tu u bë e Madhe Shypnija”!. Dhe më pas të formoni parti politike dhe të futeni në qeveri dhe t’na i shurdhoni veshët me frazat “… në vitin 2001 e kam refuzuar ndarjen e Maqedonisë”. Edhe konfirmimi i Zemri Qamilit ekzistencën e personave të maskuar ka shkaktu boll dilema. Zëvendësministri, të cilit një fjalë i kushton një lirë (aq rrallë flet), konfirmoi ekzistencën e maskave gati pa u paraqitur ata!
Ka edhe këso pyetje: Pse u paraqitët pikërisht tani, kur Tetova është bë gati t’i japë një goditje të fuqishme atyre që për hatër të vendeve të punës së maqedonasve, janë të gatshëm të sëmurin krejt Tetovën me kancer? Ju me siguri më mirë se ne e dini se shqiptarët janë lodhur nga patriotizmi i rrejshëm. A ju kujtohet sa patriot i madh shitej Xhevat Ademi? Jo vetëm në vitin 2001, por deri para një jave. Rrahke gjoks se nuk do të lërë “Jugohrom” pa mbyllë, jo vetëm në Jegunoc, por në krejt fytyrën e tokës. Ku është tani? Ku është strukur? Po thonë se e ka lënë edhe cigaren, bile. U kënaq duke thithur tym Jugohromi (po thonë). E jo vetëm ai, por edhe shumë “patridiota” tjerë po kënaqen duke e thithur (tymin e “Jugohromit” de!).
Pyetja tjetër është se: Pse u paraqitët pikërisht në momentin kur disa partive aktuale (që bashkuan ambasadat e Maqedonisë dhe Serbisë), u ka hyrë frika deri në palcë nga paraqitja e iniciativave për formimin e subjekteve të reja shqiptare? Pse pikërisht në momentin, kur lideri i opozitës maqedonase thotë se posedon dëshmi të cilat do ta detyrojnë kryeministrin Nikolla Gruevski, të japë dorëheqje brenda tre ditëve? A nuk bën të pritet edhe pak ta shohim se çka do të thotë Zaevi? Mendoni mirë, mos ndoshta qëllimet tuaja (që mund të jenë të sinqerta), po keqpërdoren për ruajtjen e pushtetit të dikujt që më së shumti punon kundër interesit shqiptar!
Pastaj, paraqitjen e parë e keni në Malësinë e Tetovës. Sipas logjikës së vitit 2001, kjo do të thotë se së shpejti do të paraqiteni edhe në Malësinë e Karadakut dhe në rrethinën e Kumanovës – Likovës? Kjo nuk është korrekte nga ana juaj! Pse njëherë të mos u jepet rasti edhe trimave (të pasluftës) të Kërçovës, heroizmin e tyre ta dëshmojnë edhe para luftës? Na falni, mos na keqkuptoni. Nuk po pyesim ne, po pyet mileti!















