Ishim dëshmitarë të një loje futbolli me shumë tension e përcjell edhe me shumë debate. Loja, por edhe debatet shumë kundërthënëse të dobishme jo vetëm në aspektin e mbrojtjes së vërtetës që e pamë në fushën e futbollit, por edhe të shqiptarëve anembanë, që përnjëherë po u ngrihej njëfarë homogjenizimi!
Por ishte një fluturake nga qielli që u shfaq papritmas mbi stadiumin e Partizanit në Beograd, pasojat e së cilës tani po i ndiejmë të gjithë. Epilogu: pikët i humbëm, ndonëse ende askush nuk e di me siguri se vërtet kush e lëshoi atë hartë të trojeve tona etnike, që po ngërthente në vete edhe Sanxhakun.
E pamë se si organizatorët në Serbi dështuan t’i ndalin kriminelët që po sulmonin futbollistët e kombëtares tonë. Çdo shqiptar që i përjetoi kampet e refugjateve, vrasjet, rrahjet dhe depërtimet para 15 vjetësh, ngjarjet e asaj nate ndenjëse po na kthenin në psikozën e luftës, që për një kohe, dukej se kishim filluar ta hedhim ngadalë pas shpine.
Sikur se edhe grackat tjera anonime të servuara, në të shumtën e rasteve nga shërbimi serb nga shqipfolësit, edhe ky rast i solli ujë më së shumti mullirit të Putinit, i cili po përgatitej ta vizitonte Beogradin disa ditë më vonë. Jo rastësisht kjo ngjarje m’i kujton ditët e fëmijërisë sime kur po rritesha në gjendje të jashtëzakonshme pas ngjarjeve të tendosur, por që organizatorët nuk nxorën prova as pas mbajtjes së dënimeve drakonike se kush ishin ata që i bënë planet e demonstratave studentore.
Ngjarjet e vitit’81 sollën mijëra vjet burg për studentët dhe profesorët e tyre, dhjetëra mijëra diferencime ideopolitike nga pushteti Jugosllav, që u vërsul i tërbuar mbi popullatën e Kosovës. Epilogu ishte i ngjashëm me ato të fluturakes, humbje të mëdha, por është ngritje të vetëdijes kombëtare, që duket se ishte shumë e nevojshme në atë kohë për kombin shqiptar. Sipas memoareve të Margaret Theqer “Lufta e Tretë Botërore midis blloqeve, atij Lindore dhe Perëndimorë, parashikohej të fillonte në muajin mars të vitit 1981 diku në Ballkan”.
A kishte gisht KGB-ja në ngjarjet e vitit 1981, duke u përpjekur të provokojë një luftë mes dy shteteve fqinje përmes agjentëve të saj të infiltruat në majat e pushtetit të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, shtete këto që ishin jashtë sferës së dominimit të BRSS? Këtë mbase do ta marrim vesh kur të hapen arkivat e shërbimeve jo vetëm perëndimore. Por dihet se Enver Hoxhës iu desh gati një javë para se të prononcohej publikisht për demonstratat e studentëve në Kosove. A kishte Hoxha informacion të saktë për këtë komplot dhe ai ishte kjo arsyeja e vërtet pse ai nuk e aktivizoi fuqinë luftarake? Vetëm pak muaj më vonë Mehmet Shehu, ministri i Punëve të Brendshme i dyshuar si spiun rus, në rrethana te paqarta “zyrtarisht” bëri vetëvrasje!
Tani, tridhjetë e tri vjet më vonë, rrymat proruse brenda Beogradit zyrtar po manifestojnë përkrahje të hapur për Putinin. Si politikanët ashtu edhe një pjesë e medieve serbe, por edhe shumë biznesmenë të fuqishëm janë vënë në dispozicion të plotë të regjimit të Putinit. Sikur që në të kaluarën kur prapa memorandumeve famëkeqe qëndronte Akademia Serbe, sot bastioni i “rusizmit të Serbisë” është bartur në Universitetin e Beogradit. Putin nuk po e fsheh planin e tij për dalje në Detin Adriatik nëpërmes spirales ortodokse dhe dominimit të tij në Ballkan, duke përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Republikën Serbe të Bosnjës dhe Maqedoninë. Ai pas aneksimit të Krimeas, si një fitues, vazhdon ta kërcënojë haptas NATO-n.
As SHBA-të e as Unioni Europian nuk duken të gatshme që të ballafaqohen tash për tash ushatarkisht me këto kërcënime, por kanë zgjedhur rrugën e trysnisë ekonomike.
Rasti i Kosovës së vogël shpesh merret shembull nga Putini, për të argumentuar qëndrimin e tij, se nëse Kosova ka pasur të drejtë të shpallë pavarësinë, pse të mos kenë edhe popujt e tjerë të drejtën për vetëvendosje, duke mos përmendur asnjëherë gjenocidin në Kosovë dhe negociatat e ndërprera mes palëve, në Rambuje për të cilat përgjegjësinë e mban Serbia, si dhe vulën që pavarësisë së Kosovës ia vuri Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Është kjo përpjekje direkte e tij për ta komplikuar edhe më tej situatën në Kosovë, posaçërisht me ndihmat që ai po i jep ” mbrojtjes civile” në enklavat serbe brenda territorit të Kosovës. Aktivizimi i tyre mund të rrezikojnë seriozisht sovranitetin e Kosovës, ku nuk mungojnë as kërcënimet e hapura që vinë nga vullnetarët çetnike, të cilët po grupohen në njësitet paramilitare ruse, të cilët dita-ditës po ngjajnë në një “ISIS ortodoks”
Ky skenarë i rrezikshëm na kujton krizën e Ukrainës dhe dështimin e Evropës burokratike për ta parandaluar luftën atje.
Dhe derisa presim stuhinë, loja e nervave po vazhdon!
















