TIRANE- Tre ditë pas publikimit të rastit ku një sekser në Universitetin Bujqësor të Tiranës kërkonte para dhe seks nga studentët në këmbim të marrjes së provimeve në këtë universitet, sot publikohet një tjetër rast korrupsioni. Emisioni Investigativ “Fiks Fare” vazhdoi edhe mbrëmjen e sotme investigimin, duke shfaqur një tjetër filmim, ku sërish sekseri Besim Nasufi thotë se pinte kafe me pedagogët në fakultet, por që kishte frikë edhe se mund ta kapte “Fiksi”, pasi para dy ditësh, sipas tij, kishin qenë gazetarët në dy fakultete, në atë “Pyjor” dhe të “Zooteknikës”.
Përveç sekserit Besim Nasufi, i cili u arrestua para dy ditësh, doli në skenë edhe një sekser tjetër, i cili thotë të njëjtat çmime për provimet. Ai njihet me emrin “Dine” ose “Kuqo”, megjithëse roja i fakultetit thotë se e ka emrin Dardan. Dardani në fillim e pyet bashkëpunëtorin e Fiksit se kush e ka orientuar tek ai, pastaj i kërkon t’i çojë lëndët që do t’i marrë notë kaluese.
Sekseri bie dakord në parim që të ndërhyjë për dy provimet ku studenti është vlerësuar me notën 4.
Ai i thotë se “Unë mund t’i marr këto dy lëndë që keni sjellë”, dhe i thotë se duhet t’i lënë shënimin tek roja.
Në shënim të shkruhet emri, mbiemri i studentit dhe data e provimit. Dy lëndët që zotohet të marrë janë “Drejtim Operacional” dhe “Statistikë”, të cilat studenti i kishte dhënë para se të takonte sekserin, por ishte vlerësuar me notën 4. Notat e këtyre provimeve kishin dalë para se të takonte sekserin e dytë