Tirana do të jetë qyteti i parë në Ballkan që i bashkohet nismës për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në markete apo supermarkete. Në aktivitetin “Më pak qese plastike, më shumë jetë” organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve që të reduktojnë në maksimum përdorimin e qeseve plastike, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i konsideroi ato si një nga problemet më shqetësuese me të cilin përballet sot qyteti.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që të ndjekë politikën e reduktimit në maksimum të përdorimit të ambalezheve plastike, deri në ndalimin e plotë të tyre. “Vitin tjetër, në ditën botërore të mjedisit, Tirana do të jetë një qytet ku do të ndalohet përdorimi i qeseve plastike. Do të fillojmë të punojmë gradualisht, që deri në datën 5 korrik, duke futur konceptin e çantave shumëpërdorimshe të pazarit, të reduktojmë në maksimum maninë që kemi për të përdorur qeset plastike. Dëshira për të përdorur kaq shumë qeset plastike është e pakuptimtë, por sigurisht me pak ndërgjegjësim mund të reduktohet”, shtoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se qeset plastike janë një nga shkaktarët kryesorë të bllokimeve të pusetave dhe kanalizimeve në qytet, çka rrjedhimisht bëhen shkak edhe për përmbytje nga shirat.
Por, që Tirana të jetë edhe më e pastër, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se duke filluar nga kjo verë nuk do lejohet më ndërhyrja në kazanët e mbetjeve, pasi ky veprim së pari, rrit ndotjen në qytet dhe së dyti, përbën rrezik për përhapjen e sëmundjeve. “Qyteti i Tiranës nuk do të lejojë më ndërhyrje në kazanët e mbeturinave sepse shpërndan infeksione pafund. Kush është realisht i interesuar të mbrojë kauzën e atyre që punojnë dhe jetojnë me riciklimin, nuk duhet ta kundërshtojë bashkinë. Përkundrazi, duhet ta mbështesë bashkinë që këtyre njerëzve t’u japë një punë me sigurime shoqërore, dhe jo të lejojë trajtimin e tyre si skllevër që punojnë për grosistë, të cilët as i paguajnë sa duhet, as i sigurojnë”, nënvizoi Veliaj.















