Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur komitetin selektues i cili kryesohet nga aktorja kosovare me famë botërore Arta Dobroshi, e njohur për filmin ‘Heshtja e Lornës’. Anëtarët e tjerë janë regjisorja Blerta Zeqiri, fituese e Sundance Film Festival, dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj, kuratori dhe artisti Albert Heta, dramaturgia dhe gazetarja e njohur Jeta Xharra, aktori me famë Alban Ukaj si dhe kameramani me eksperiencë Sylejman Kllokoqi.
Komiteti do të bëjë përzgjedhjen e filmit më të mirë që do të jetë kandidati kosovar për çmimin Oscar për kategorinë e filmit më të mirë të huaj.
“Ky është moment historik për popullin e Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë tonë që kemi mundësi të nominojmë një film për Oscar. Ndihem shumë e nderuar që jam presidente e komitetit selektues nga Kosova. Shumë urime Kosovë”, ka thënë kryesuesja Arta Dobroshi.
Filmi që do ta përzgjedhë komiteti selektues do të promovohet në SHBA pas datës 20 shtator, përmes European Film Promotion, anëtare e së cilës është Qendra Kinematografike e Kosovës.
















