Flasin për analistët politik lidhur me dështimin e protestave kundër rastit ‘Monstra’: Është e vërtetë se pushteti i ndihmuar nga ‘opozita’ përpiqet të shuajë protestën. Qëndrimi tejet negativ i pushtetit, prodhoi të burgosur të rinj në mesin e protestuesve
Protestat kundër rastit ‘Monstra’, u zbehën ndërsa tani parashtrohet pyetja nëse të njëjtat do të dështojnë. Qëndrimi tejet negativ i pushtetit ndaj protestuesve që prodhoi edhe të burgosur të rinj në mesin e tyre po e bën të veten. Megjithatë, shumica dërmuese e shqiptarëve në Maqedoni vazhdojnë të ndjehen të shkelur dhe të diskriminuar. Kështu vlerësojnë analistët politik në lidhje me dështimin e protestave kundër rastit ‘Monstra’.
Analisti Bujar Idrizi thotë se zvogëlimi i numrit të protestuesve nuk reflekton bindjen që kanë shqiptarët ndaj procesit gjyqësor ‘Monstra’.
“Zvogëlimi i numrit të protestuesve, nuk reflekton bindjen që shqiptarët kanë në lidhje me procesin gjyqësor ‘Monstra’. Shumica dërmuese e shqiptarëve edhe sot duke u bazuar në mënyren se si udhëhiqej i tërë procesi, nuk besojnë në vendimin e shqiptuar nga gjykata. Për më tepër, shumica dërmuese e shqiptarëve në Maqedoni vazhdojnë të ndjehen të shkelur dhe diskriminuar”, deklaroi për Almakos, analisti Bujar Idrizi.
Sipas tij, është e vërtetë që pushteti i ndihmuar nga ‘opozita’ përpiqet që të shuaj manifestimin publik të pakënaqësisë, gjë të cilën deri në një masë edhe kanë arritur qe me sukses ta realizojnë.
“Atë që nuk mund ta bëjnë është ta shuajnë mllefin dhe pakënaqësinë e shqiptarëve që çdo ditë e më shumë po rritet. Në bazë të ligjeve të fizikës, energjia nuk humbet asnjëherë, vetëm e ndërron formën”, theksoi Idrizi.
Nga ana tjetër profesori universitar Alajdin Demiri vlerëson se ashtu si po kalon koha po bie masiviteti dhe intensiteti për protestat kundër rastit ‘Monstra’.
“Protestat kundër gjykimit të të dënuarve në rastin ‘Monstra’ në fillim numerikisht ishin të mëdha dhe masive por ashtu siç kalon koha zbehet dhe ulet intensiteti. Arsyet janë të shumta. Qëndrimi i pushtetit ishte shumë negativ ndaj këtyre protestave me çka prodhoi edhe të burgosur të rinj në mesin e protestuesve”, thotë për Almakos, profesori universitar Alajdin Demiri.
Sipas tij, arsyeja tjetër është se protestat fituan titullarin e ata janë familjarët e të dënuarve me burg të përjetshëm. “Arsyeja tjetër është edhe faktori kohë. Që do të thotë se kështu punët do të shtyhen në harresë ashtu si gjithmonë”, tha Demiri.
Familjarët e të burgosurve për rastin “Monstra”, sot nuk ishin në gjendje t’iu prijnë protestave. Gjithçka është vënë në funksion të parandalimit dhe pengimit të protestave, thonë familjarët e të burgosurve.
Nga gjykata atyre u është dhënë leje që të vizitojnë të afërmit e tyre në burgun e Manastirit vetëm gjatë ditës së sotme edhe pse ata kanë kërkuar që t’i vizitojnë ata të shtunën ose të hënën.
Kryetari i Këshillit organizativ për protesta kundër rastit “Monstra”, Bedri Ajdari bën të ditur se ata sot nuk kanë organizuar protesta për shkak se do të shkojnë në Manastir për t’i vizituar familjarët e tyre të burgosur.
Ai shtoi se protesta mund të ketë por jo të organizuara nga ky Këshill, mirëpo që ai i mbështet ata qytetarë të cilët duan të protestojnë.
“Ne sot nuk kemi arritur të organizojmë protestat për arsye se do të shkojmë në burgun e Manastirit për t’i vizituar të afërmit tanë që janë të burgosur aty. Kam dëgjuar zëra se disa qytetarë do të marrin iniciativën dhe do të protestojnë, dhe them se ne i përkrahim ata”, tha Ajdari.















