Burime nga Presidenca, kanë bërë të ditur se Presidenti do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për interpretimin e nenit të Kushtetutës, që flet për dekretimin e ministrave
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, duket se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, para se të vendosë në lidhje me emërimet e Arben Ahmetajt dhe Milva Ikonomit, respektivisht në postet e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Burime nga Presidenca, kanë bërë të ditur dje se Presidenti i Republikës nuk do t’i dekretojë emërimet e Arben Ahmetajt dhe Milva Ekonomit, në Ministrinë e Financave dhe atë të Ekonomisë, kjo deri në interpretimin që Gjykata Kushtetuese duhet të bëjë në bazë të kërkesës së tij për nenin e sipërcituar.
Pavarësisht afatit 7-ditor që Kushtetuta i ka vendosur për t’u shprehur për propozimet për emërim ministrash, dhe që në rastin konkret përfundon të martën, Kreu i Shtetit nuk do të kryejë asnjë veprim deri sa të ketë një interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo pritet të fusë në një ngërç, marrëdhëniet mes tij dhe mazhorancës qeverisëse, e cila tashmë do duhet të ndërmarrë një hap për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështjeje.
Dhe mundësitë për mazhorancën, janë dy: Ose të mbledhë parlamentin në një seancë jashtë radhe për të miratuar dekretet e shkarkimit të Shkëlqim Canit dhe Arben Ahmetajt dhe për të vënë para faktit të kryer Presidentin, e për të rrëzuar një nga argumentet e tij për mosdekretimin, e në të njëjtën kohë me shkarkimet edhe emërimet, ose të gjejë një rrugë tjetër, e cila natyrisht do të ishte ekstraligjore.
Por në rastin e parë, pra atë të mbledhjes së parlamentit për të votuar dekretet e shkarkimit, do të kishim një ulje të qeverisë përballë Presidentit në këtë debat, ndërsa rruga e dytë që duket edhe më e pamundur, do ta bënte mazhorancën shkelëse edhe më të madhe të Kushtetutës sesa Presidenti, siç ajo pretendon.
Ndaj për të shmangur skenarët më ekstrem në zgjidhjen e kësaj situate, përgjegjësia duket se i ka mbetur Gjykatës Kushtetuese, e cila do duhet që të marrë një vendim në kohë rekord, mundësisht brenda një afati 24 orësh, në mënyrë që t’i sqarojë pozicionin tri institucioneve më të larta shtetërore, Presidentit, Kuvendit dhe Qeverisë.
Dhe për të bërë këtë gjë, Gjykata Kushtetuese e ka një precedent të mëparshëm, kur për shqyrtimin e një kërkese të tillë, ka marrë një vendim brenda 24 orësh.
Bëhet fjalë për rastin e dekretimit të qeverisë “Majko 2”, ku para se të votohej kabineti, ai kërkoi të votohej programi qeverisës.
Në atë kohë, pas një kërkese të paraqitur nga opozita, Gjykata Kushtetuese, për shkak të situatës së mprehtë, dha një zgjidhje shumë të shpejtë, çka s’e ka bërë në asnjë rast tjetër.
Por në rastin konkret, Gjykata ndodhet vërtet para një rasti të vështirë, kjo për vetë faktin se kreu i shtetit e çoi kërkesën e vetë ditën e shtunë, kohë gjatë së cilës Gjykata është pushim.
Pra ajo do mund ta protokollojë kërkesën vetëm ditën e sotme dhe më tej do duhet të vendos nëse do ketë një interpretim të saj në mënyrë emergjente apo jo.
Ndërkohë që burime nga mazhoranca, kanë bërë të ditur dje se nuk kanë menduar asnjë zgjidhje tjetër veç asaj kushtetuese, pasi siç theksuan ata, nuk e kanë menduar kurrë që Kreu i Shtetit nuk do respektonte afatet kushtetuese për një çështje që sipas tyre mbetet krejt formale.
Gjithsesi nuk kanë munguar zërat edhe nga mazhoranca, të cilët në një farë mënyrë kanë kërcënuar Kreun e Shtetit, se në rast se do të pengonte funksionimin e qeverisë, atëherë mazhoranca do të ndërmerrte edhe një nismë për shkarkimin e tij.
















