Grupi i rokut alternative “The Bloody Foreigners”, do të performojnë për dy netë radhazi në Prishtinë, për nder të festës së flamurit.
Bendi me rezidencë të katërfishtë në Vicianum, Prishtinë, Londër, Sheffield dhe Chelmsford, sonte do të paraqiten në koncertin festiv të 28 nëntorit në sheshin “Zahir Pajaziti”. Ndërsa, nesër mbrëma, “The Bloody Foreigners” do të shpalos repertuarin e vet magjik në Zanzi Jazz Bar.
“The Bloody Foreigners”, mjaft të pëlqyer nga të rinjtë vendës, bëjnë muzikë në shkrirjen e zhanreve folk, post punk dhe balkan dhe njihen për tekstet interesante të këngëve si “Nuk po du banane”, “Shaban” në bashkëpunim me Genc Salihun, “Po pe merr bre”, “Hej Xho”, si dhe së fundi “N’deti”.
Grupi “The Bloody Foreigners” përbëhet nga Fatos Bejta, Fatos Dërguti, Joseph Cook dhe Ard Kelmendi.

















