Deklaratën e tij lidhur me Trepçën, Thaçi e bëri gjatë takimit të tij me homologun austriak, Sebastian Kruz. Diplomati austriak u prit mbrëmjen e djeshme nga presidentja Atifete Jahjaga dhe sot u takua edhe me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën. Gjatë takimit të Kruz me zv/kryeministrin Thaçi, u bisedua për dialogun Prishtinë-Beograd që pritet të vazhdojë më 9 shkurt në Bruksel dhe për çështjen e Trepçës. Lidhur me këtë çështje, zv/kryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, tha se cështja e Trepçës nuk do diskutohet me askënd pasi është pasuri e Kosovës. Ditën e djeshme, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në projektligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasuritë e tyre, sipas të cilit AKP-së i jepet kohë shtesë për përgatitjen e planit për riorganizimin e Trepçës.















