Ai është shprehur se pas marrëveshjeve dypalëshe dhe mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, shkëmbimet tregtare mes dy shteteve ka arritur shifrën e 200 milionë eurove.
Bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik i kanë dhënë një dimension shumë më konkret dialogut dhe veprimit ndërqeveritar, me synim jetësimin e politikave të përbashkëta strategjike, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërkaq, Rama, theksoi se i rëndësishëm në këtë mes është edhe bashkëpunimi në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, sepse që nga takimi i Berlinit në gusht 2014, Bashkimi Evropian ka mbështetur një numër të rëndësishëm të korridoreve qendrore të infrastrukturës që do të lidhin portet, aeroportet dhe pikat kryesore të ekonomisë në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Bashkëpunimi rajonal është çelës i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajonin tonë, ka thënë kryeministri Rama.
Në mesin e këtyre projekteve, presidenti Thaçi tha se rëndësi të veçantë ka edhe projekti infrastrukturor Durrës-Prishtinë-Nish dhe sigurimi i përkrahjes për nisma rajonale të bashkëpunimit.
Gjithashtu, kreu i vendit ka theksuar se Kosova do të vazhdojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve edhe me Serbinë, sepse zgjidhja e vetme, ka thënë ai, është vazhdimi i dialogut.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentit Thaçi, ndikon edhe në stabilitetin rajonal dhe në forcimin e raporteve midis shteteve të rajonit.
Ne jemi të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve tona përmes dialogut, sepse vetëm përmes dialogut forcojmë edhe shtetin e Kosovës, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi përfundoi se e rëndësishme është që i tërë rajoni është i përcaktuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
























