Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratik Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, të cilët shkëmbyen mendime dhe ide për të forcuar më tej marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pas takimit kryeparlamentari Meta, tha se në takim kanë biseduar për përpjekjet që duhet bërë për të avancuar më tej realizimin e të drejtave shqiptare, si një faktor shtet formues dhe mjaft kyç për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë.
“Ne diskutuam edhe për të forcuar stabilitetin në Maqedoni dhe për realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe njëkohësisht për të ofruar mbështetje për Maqedoninë perëndimore”, theksoi Meta, duke veçuar këtu mbështetjen në drejtim të buxhetit, në drejtim të investimeve të huaja dhe në problemet sociale, veçanërisht atë të papunësisë. Ai më tej shtoi se lidhja hekurudhore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë është shumë e rëndësishme për zhvillimet e të gjitha krahinave tregtare midis dy vendeve. Sipas tij, kjo hekurudhë do të ndihmojë edhe faktorizimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, si vende shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik në të gjithë rajonin dhe për vënien në funksionim të Korridorit 8. “Besoj se ky takim në bazën e takimeve tona sistematike do të ndihmojë më mirë në të gjithë ato temat të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë”, u shpreh Meta.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, në fjalën e tij para mediave tha se në takimin e zhvilluar ka siguruar kryeparlamentarin shqiptar se opozita shqiptare asnjëherë nuk do të jetë problem dhe se ajo do të vazhdojë me një politikë të fortë opozitare për zgjidhjen e problemeve. “I thash shqetësimet e mia për Maqedoninë që është në proces të bllokimit total të dy çështjeve fundamentale që garantojnë mbijetesën e Maqedonisë, integrimin për në NATO dhe çështje e marrëdhënieve etnike apo realizimit të drejtave kolektive shqiptare”, tha Thaçi. Sipas Thaçit nuk ka shpresë për qetësimin e situatës në vend, mirëpo ai tha se ka siguruar kryeparlamentarin Meta se PDSH asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e aventurave politike apo të tjera, duke shtuar se PDSH si parti opozitare është shumë e vetëdijshme për barrën dhe peshën që ka për të garantuar një cilësi dhe stabilitet në vend.















