Ish drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, tash pjesë e shoqërisë civile, Jusuf Thaçi ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) mbanë përgjegjësinë për cilësinë e dobët në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), publike e private.
‘’Mirë që e thotë ENKA, por në fakt nuk ka nevojë ta thotë askush, sepse dihet mirëfilli se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është njëri ndër institucionet më të përdala në fushën e arsimit të lartë në Kosovë. Ky institucion mbanë përgjegjësinë për cilësinë tmerrësisht të dobët në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), publike e private, sepse ka akredituar e po akrediton programe studimi e institucione publike e private që nuk i plotësojnë as kushtet minimale për akreditim.
Ja një shembull konkret. AKA me vendimin e mbledhjes së 26 të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), të datës 17 prill 2013, ka marrë vendim që ta akreditojë programin e studimit “Komunikim dhe Gazetari” për nivelin e doktoraturës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Për ata që nuk e dinë, me rastin e akreditimit, Departamenti i Gazetarisë në UP nuk ka pasur as 3 profesorë të rregullt me titujt më të lartë shkencorë e akademikë të lëmit të gazetarisë e të komunikimit, meqë edhe ata profesorë që i ka, janë profesorë të gjuhës, të letërsisë, të linguistikës, etj., por jo të gazetarisë e të komunikimit. Pra, normalisht, Departamenti i Gazetarisë në UP vështirë që ka kuadër të mjaftueshëm për t’u akredituar për nivelin Bachelor, ndërsa AKA e ka akredituar edhe për nivelin Master, e për ta bërë krimin të pafalshëm e ka akredituar edhe për nivelin e Doktoratës.
Për fat të keq, shembujt e tillë janë të shumtë edhe në IAL publike edhe private.
Gracka në të cilën nuk duhet të biem! Veprimet e vendimet e AKA-së nuk paraqesin korrupsion, por krim të përmasave të mëdha, meqë i kanë ulur kriteret për arsimin e lartë në Kosovë aq shumë sa që po na e shkatërrojnë arsimin e lartë e rrjedhimisht edhe të ardhmen e shoqërisë, vendit dhe kombit tonë. Ky krim nuk mund të reduktohet në korrupsion!’’ ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.
















