Teorikisht evropianët i dhanë botës lojërat olimpike, teknikisht në Baku të Azerbaxhanit sivjet është edicioni i parë i lojërave evropiane olimpike. Për ne shqiptarët ky edicion ka dhe vlera të tjera duke qenë se për herë të parë pamë Kosovën si shtet i pavarur në gara olimpike. E po për herë të parë plot 8-të shtete të ndryshme kanë atletë shqiptarë, të cilët aderojnë në nivele të larta sportive.
Marsida T. Najdeni
Ne shqiptarët kemi një lidhje shpirtërore mjaft të madhe me flamurin në çdo aspekt sport, art, politikë etj. Prandaj nuk e mohoj se kur pashë në ekran të shkruar Kosova dhe vashën tonë Kelmendin u emocionova. Do doja shumë të kishte në duar një flamur tjetër, por duhet ta pranojmë flamurin siç pranojmë shtetin e ri. Nuk e di… mbase në një të ardhme mbasi ta kenë rrënjosur shtetin e tyre mirë, me referendum popullorë mund ta ndrrojnë?! I bie t’ja ndrrojmë dhe emrin ashtu. Eh, ç’na ka gjet. Të kthejmë kokën mbrapa e mos të harrojmë se përjetuam një 1999 të mallkuar. Ballkani gjithmonë ka qenë vatër e një nacionalizmi të tepruar, ku shpesh shohim grupe njerëzish duke djegur flamurin e fqinjëve. Sepse kemi një nacionalizëm të “sëmurë” prandaj dhe jemi rrajoni më problematik i kontinentit të vjetër. Këtë dukuri në popujt e tjerë evropianë perendimorë nuk e vejmë re dhe aq shumë. E mirënjohura Nju Jork Tajms para disa kohësh shkruante se si gjermanët kanë problem të këndojnë himnin kombëtarë, apo të varin flamurin nëpër shtëpia a makina. Për arsye që dihen. Kjo gjë gjithsesi nuk i ka penguar të ndërtojnë shtetin më të fort në Evropë.
Me këto mendime të flamurit dhe shqiptarëve me dy shtete hyra në uebsitin zyrtarë http://www.baku2015.com ku nga 6 mijë atletë plot 57-të janë shqiptarë. Më mori pothuajse 5 orë të skanoja me sytë e lodhur emrat e 6 mijë atletëve, por besoj se nuk me ka shpëtuar asnjë shqiptarë. Nëse po, ju lutem shkrueni më poshtë. Nuk mund të rri pa përmend faktin se Shqipëria dhe Kosova bashk me atletët e tjerë jasht arrijnë të kapin numrin e Bosnjes me 57 atletë nën flamurin boshnjak. Pra jo me atletët boshnjak që aderojnë me shtete të ndryshme. Fakt ky që të pezmaton. Kur mendon se Mali i Zi me një popullsi prej 666 mijë banorë ka 53 atletë asnjë nga ato shqiptarë dhe ne me dy shtete (plus emigrantët) nuk arrimë të kapim 133 atletët që ka Serbia nën flamurin e vet. Vallë ne shqiptarët nuk e duam atletikën? Apo dy shtetet tona nuk angazhohen në zhvillimin e atletikës në vend? Shtetet fqinje me etnicitet të lart autoktonë shqiptarë si Maqedonia e Mali Zi nuk u krijojnë hapësira? Vende si Greqia e Italia me një numër shumë të madh emigrantësh nuk dinë apo nuk duan t’i integrojnë? Ec e gjeja përgjigjen këtyre pyetjeve duke ju referuar statistikave. Megjithatë mendoj se përgjigja e pyetjeve më lart do t’ishte “pak nga të gjitha.”
Po ju prezantoj me 57 atletët shqiptarë të 8-të shteteve të ndryshme. Klikoni fotot me rradhë, nga vet vakti historik e kam fillu prej Kosovës. Suksese vashave e djemve tanë!









































































