Njohësit e sigurisë në Kosovë thonë se këto arrestime tregojnë për një gjendje të tensionuar, megjithëse shtojnë se nuk ka vend për panik. Zmbrapsja e personave të lidhur me ekstremizëm muajve të fundit, sipas tyre, është bërë vetëm sa për t’iu larguar ekspozimit në publik dhe kështu janë duke e rishtrirë aktivitetin e tyre në terren.
Ndërkohë institucionet kosovare kanë thënë se sikur vendet e tjera të botës, edhe Kosova nuk është imune ndaj elementeve terroriste. Të dielën Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët mendohet se kanë lidhshmëri me valën e parë të arrestimeve. E lidhur me këtë grup të dyshuar terrorist, arrestime ka pasur edhe në Shqipëri, ku katër persona janë prangosur nga policia shqiptare.






















