Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë është penguar sot sërish nga dhjetëra qytetarë serbë.
KosovaPress mëson se ky grup i qytetarëve serbë ka sulmuar sot rreth orës 09:30 një ekskavator të kompanisë “Euro Ndërtimi”, i cili ishte duke punuar në rindërtimin e gjashtë shtëpive të shqiptarëve në këtë lagje.
Disa nga banorët shqiptarë kanë thënë se iniciator dhe kryeprotagonist i krejt kësaj ngjarjeje është personi me emrin Dragutin. Ata janë shprehur të indinjuar për faktin se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk po e arrestojnë.
Në shenjë revolte, shqiptarët kanë bllokuar rrugën Suhodoll – Mitrovicë. Ata kanë vendosur në rrugë automjete të ndryshme të tyre, për të ndalur qarkullimin.
KosovaPress mëson se situata është e tensionuar. Në lagje ka një prezencë të shtuar të pjesëtarëve të policisë.
















